Beqaj: Çmimi i energjisë nuk do të rritet
Prishtinë, 18 mars - "Dua ta informoj publikun sot se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike", ka deklaruar sot ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj gjatë një konference për media ku përjashtoi mundësinë e ngritjes së tarifave të energjisë, pasi Qeveria ka hequr dorë nga fitimet e saj.
Beqaj me këtë rast tha se ditëve të fundit është diskutuar shumë rreth çmimeve të energjisë deri në atë masë sa që ka pas njerëz që kanë bërë vlerësime se sa për qind do të rritet çmimi i energjisë.
Ne para disa ditëve kemi marrë një shkresë nga rregullatori për kontributin që Qeveria duhet të japë në çmimin e energjisë dhe unë do ta informoj publikun sot se nuk do të ketë rritje të çmimit të energjisë elektrike. Ky është një fakt të cilin e kemi bërë sot në konsultim me Rregullatorin, tha ai.
Sipas tij, është pritur të ketë një rritje të fitimit të saj, por Qeveria ka hequr dorë, kështu që realisht pritet që shumë shpejt Zyra e Rregullatorit të Energjisë të vjen me vendimin që nuk ka rritje të çmimit të energjisë.
Prandaj kisha lutur të gjithë ata të cilët deri tani kanë manipuluar me çmimin e energjisë që do të ketë rritje, 11%, 13% apo 30 % , ky nuk është fakt dhe kjo nuk është e vërtetë. Pra nuk do të ketë rritje sepse Qeveria ka marrë obligim që fitimet e saj të cilat janë të prezantuara në fatura dhe në rritje të çmimit të energjisë të mos i zbatojë. Kjo është një informatë të cilën desha ta ndajë me qytetarët, tha Beqaj.
Kreu i MZHE-së tha se i mirëkupton shqetësimet e qytetarëve gjatë këtyre ditëve sa i përket faturave dhe ka bërë me dije që Qeveria është shumë koshiente në trajtimin e gjitha ankesave një nga një, ndërsa ka garantuar ata edhe njëherë që asnjë faturë që është e fryrë apo e rritur nuk do të paguhet nga qytetarët, por KEK do ti rimburësojë të gjitha ato fatura.
Prandaj unë kërkoj mirëkuptim nga qytetarët dhe mirëkuptimi është që të mos bien pre e lojërave politike të cilat janë prezente dhe fuqinë e argumentit gjithmonë sa i përket mbrojtjes së tyre do ta kenë në raport me Qeverinë. Unë pres që edhe KEK-u i cili monitorohet për punën e vet nga Zyra e Rregullatorit të jetë shumë përgjegjës dhe gjitha lëshimet të cilat janë konstatuar nga ZRRE të shkojnë në vendin e vet, tha ministri Beqaj.
Ai tha se Qeveria është për trajtim të interesave të qytetarëve por në asnjë moment nuk do të lejojë që të manipulohet më masën për masa të tilla, siç është çmimi i energjisë, ndërsa e quajti këtë lajm të mirë për qytetarët e vendit me çka mbyllen ato manipulime dhe kalkulime të shumë njerëzve në llogari të institucioneve.