BE përmirëson efiçiencën energjetike të ndërtesave publike
Prishtinë, 13 janar - Shkolla e mesme Gjin Gazulli dhe shkolla fillore Ismail Qemali në Prishtinë si dhe reparti i maternitetit në spitalin regjional të Gjilanit, pas rehabilitimit të financuar nga fondet e BE-së janë sjellë më afër standardeve të BE-së në lidhje me efiçiencën e energjisë.
Ndërtesat janë inauguruar nga Zyra ndërlidhëse e KE-së së bashku me zyrtarë të Ministrisë së Energjisë dhe Minierave, Ministrisë së Shëndetësisë, Komunës së Prishtinës dhe Gjilanit.
Khaldoun Sinno, shef i sektorit për Politikë, Ekonomi dhe Integrim në BE, në Zyrën ndërlidhëse të KE-së, ka thënë: Investimi në efiçiencë të energjisë në ndërtesat e reja dhe ato ekzistuese ka rëndësi të madhe për Kosovën, e cila përballet me sfidën e shkallës së ulët të prodhimit të energjisë dhe konsumit të lartë.
Këto ndërtesa publike paraqesin shembuj të mirë se si investimi në masat e kursimit të energjisë ndihmon në aspektin mjedisor dhe në aspektin ekonomik, me një periudhë të shkurtër të kthimit të investimeve.\"
Punët e rehabilitimit kanë qenë të përqendruara në masat e efiçiencës së energjisë siç janë: izolimi termik i mureve të jashtme dhe kulmit, izolimi i kulmeve kundër rrjedhjes së ujit, instalimi i dritareve dhe dyerve të reja të materialit PVC, riparimi i sistemeve ekzistuese të kazanëve dhe instalimi i paneleve solare për ngrohje të ujit.
Në kuadër të projektit të efiçiencës së energjisë, në shtator të vitit të kaluar janë rehabilituar edhe dy shkolla tjera në Gjakovë.
Pritet që shkalla e konsumit të ndërtesave të rehabilituara të bie së paku 40% si dhe të ketë përmirësime të dukshme të temperaturës brenda ndërtesave. Veç kësaj, do të ulet dukshëm ndotja siç është emetimi i CO2, që shkaktohet nga ngrohja.
Komisioni Evropian i kushton rëndësi të madhe efiçiencës së energjisë dhe mjedisit të pastër. Përveç rehabilitimit të pesë ndërtesave publike, Zyra ndërlidhëse e KE-së financon dy projekte tjera për efiçiencë të energjisë.
Njëri projekt është për përkrahjen e Ministrisë së Energjisë dhe Minierave për krijimin e procesit të auditimit të energjisë në harmoni me kërkesat ligjore dhe me Planin Kombëtar për Efiçiencë të Energjisë dhe projekti i dytë që ka të bëjmë me fushatën e vetëdijesimit publik për promovimin e shfrytëzimit efikas të energjisë dhe burimeve të ripërtërishme të energjisë. Këto së bashku përbëjnë 2 milion euro investime të BE-së për një Kosovë më të pastër dhe më të gjelbër.