BE padi ndaj Bullgarisë për shkelje në Rrymën jugore
Bruksel, 9 dhjetor - Bashkimi Evropian (BE) mund të ngre padi penale ndaj Bullgarisë në qoftë se nuk rinegociohen kushtet e ndërtimit dhe eksploatimit të gazsjellësit Rryma jugore me Rusinë. Komisioni Evropian (KE) ka vërtetuar një sërë shkeljesh në marrëveshjet midis Gazprom-it dhe Bullgarisë, Austrisë, Greqisë, Sllovenisë, Kroacisë, Hungarisë, Serbisë.
Megjithë që Sofja dhe Moska mund të kërkojnë përjashtimin e projektit nga rregullat e liberalizimit të tregjeve evropiane, deri tash në Bruksel nuk janë dorëzuar dokumente të tilla. KE-ja është kategorik se, në qoftë se marrëveshjet ndërqeveritare nuk rinegociohen, do të ngre padi penale.
Tri janë problemet kryesore me Rrymën Jugore. Së pari, prodhuesi i gazit dhe pronari i tubave nuk janë kompani të veçanta. Ka rrezik që Gazprom-i të bëhet monopolist i gazsjellësit. Së dyti, nuk garantohet aksesi i vendeve të treta.
Së treti, tarifat e transferimit të gazit nuk duhet të varen nga gjiganti ris i gazit, kurse nga një operator i pavarur. Sipas KE-së, Bullgaria ka qenë në dijeni me këto tri pika të dyshimta rreth Rrymës Jugore që në muajin gusht, kur u shkëmbyen informacionet midis vendeve anëtare të BE-së për shkeljen e rregullave evropiane. Mirëpo, autoritetet bullgare nuk kanë reaguar.
Pas reagimit të ashpër të Brukselit, enti ekonomik shpërndau mesazh tek mediat se ndërtimi i gazsjellësit Rryma Jugore në territorin e Italisë, Sllovenisë, Austrisë, Hungarisë, Kroacisë dhe Bullgarisë kërkon që KE-ja të ketë një rol të rëndësishëm dhe më aktiv në negociatat me palën ruse. Sipas autoriteteve bullgare, Brukseli duhet të ndihmojë në negociatat me Moskën.
Në këtë etapë mbetet e hapur çështja për rinegocimin e marrëveshjeve të nënshkruara me Moskën, si dhe për zgjidhjen e pikave të dyshimta, pasi ndërtimi i gazsjellësit Rryma Jugore startoi zyrtarisht.