25 Dhjetor 2024

BE dhe Kosova diskutojnë për Mjedis, Energji dhe Zhvillim

Prishtinë, 22 maj - Komisioni Evropian (KE) dhe Qeveria e Kosovës kanë mbajtur takimin e tyre të rregullt të Dialogut për Procesin e Stabilizim Asocimit (DPSA) për Transport, Mjedis, Energji, Klimë dhe Zhvillim Rajonal.

Ky takim shqyrtoi një numër fushash politike në të cilat ekziston një organ i rëndësishëm i legjislacionit evropian. Edhepse asnjë prej këtyre çështjeve nuk është negociuar drejtpërdrejt në kuadër të kornizës së negociatave për Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit (MSA), megjithatë MSA do të ketë pasoja të rëndësishme për Kosovën në këto fusha, në veçanti në krijimin e obligimeve të reja që duhen zbatuar në acquis.

Sa i përket fushës së mjedisit, Komisioni ka theksuar shqetësimin e tij për progresin shumë të kufizuar që është arritur në këtë sektor aq të rëndësishëm për qytetarët e Kosovës dhe për cilësinë e jetës së tyre. Qytetarët e Kosovës meritojnë të përfitojnë nga të njëjtat standarde mjedisore, sikurse qytetarët e tjerë në pjesën tjetër të Evropës.

Përderisa në vitet e kaluara janë aprovuar një numër ligjesh, vetëm pak prej tyre janë implementuar për shkak të konsiderimit politik dhe prioritetit të pamjaftueshëm. Financimi i kufizuar i projekteve të rëndësishme, mungesa e stafit teknik në institucionet qendrore dhe lokale dhe mungesa e vetëdijesimit publik po ashtu mbeten problemi kryesor që ndikon në implementimin e legjislacionit për mjedis.

Kosova duhet të përshpejtojë dukshëm përpjekjet në sektorin mjedisor. Krijimi i Fondit për Mbrojtjen e Mjedisit duhet të konsiderohet në mesin e prioriteteve.

Në aspektin e cilësisë së ajrit, institucionet dhe publiku mbesin shumë pak të informuar për situatën e cilësisë së ajrit, përkundër faktit se Sistemi për Monitorimin e Cilësisë së Ajrit që mbulon përshtatshëm tërë territorin e Kosovës është i pajisur plotësisht, përfshirë edhe laboratorin analitik të avancuar.

Duhet të përgatitet inventarizimi i ndotësve të ajrit dhe duhet të matet saktë ndotja nga burimet kryesore, veçanërisht ndotja nga termocentrali Kosova A.
Në fushën e transportit, Komisioni ka theksuar shqetësimin lidhur me zhvillimet e fundit në sektorin hekurudhor në Kosovë.

Përderisa ky sektor i ka zbatuar reformat viteve të fundit, me ndihmën edhe të BE-së, vendimi i fundit i Autoritet Rregullativ të Hekurudhave për të anuluar licencën tashmë të dhënë operatorit të parë privat të hekurudhës në rajon, ka dobësuar gjithë këtë punë të mirë.

Tërheqja e vetë licencës dhe mënyra se si është tërhequr ajo licencë nënkupton mosplotësimin e kushteve të vetë Kosovës dhe ajo është bërë vetëm pas presionit nga operatori në detyrë.

Kjo paraqet dyshime serioze në pavarësinë e rregullatorit të hekurudhave, dhe të mos përmendin edhe të angazhimit të Kosovës për reformim.

Meqë ndërtimi i Rrugës 7 ka përfunduar në vitin 2013, Komisioni ka inkurajuar Kosovën që të përfundojë kontratën për mirëmbajtjen e rrugës sa më shpejt që të jetë e mundur. Komisioni ka përshëndetur progresin e Kosovës në aviacion, në veçanti miratimin e fundit të Ligjit për Agjencinë e Shërbimet  e Navigacionit Ajror, dhe ka mirëpritur hapjen e hapësirës ajrore të Kosovës.

Ndërsa sa i përket energjisë, BE vazhdon të mbështesë planin e Kosovës për të ndërtuar një termocentral të ri me djegie linjiti, i cili do të plotësojë normat e tanishme dhe të ardhshme të BE-së.

Kjo do t’i mundësojë Kosovës që të mbyllë termocentralin aq ndotës Kosova A. Megjithatë, Komisioni ka nënvizuar si shqetësim zgjatjen e afatit të fundit ligjor për mbylljen e Kosovës A deri në vitin 2017, për shkak të vonesave në aktivitetet tenderuese të centralit të ri dhe mungesës së aktiviteteve të grupeve punuese për dekomisionim. Po ashtu vonesa ka edhe në miratimin e Ligjit për Efikasitetin e Energjisë.

Ky ligj duhet të mundësojë krijimin e Fondit për Efikasitetin e Energjisë – një institucion ky i nevojshëm që është kërkuar nga Komisioni për disa vjet. Përveç kësaj, Kosova duhet të favorizojë zhvillimin e burimeve të ripërtërishme e të energjisë (veçanërisht hidro-energjisë, energjisë së erës dhe energjisë solare) në mënyrë që të plotësojë caqet e saj nacionale 2020.

Komisioni ka theksuar gjithashtu mungesën e një progresi në aprovimin e acquis për Mbrojtjen nga Rrezatimi dhe Sigurinë Bërthamore të BE-së si dhe mungesën e aktivitetit në Rregullatorin për Siguri Bërthamore të Kosovës. Ndikimi politik në punën e Rregullatorit të Energjisë është ngritur edhe si pikë shqetësuese.  

Në fushën klimatike, sikurse në mjedis, është raportuar pak dhe Komisioni ka shprehur të njëjtat shqetësime. Kosova nuk ka filluar ende implementimin e legjislacionit të BE-së, jo vetëm për të kufizuar ndryshimin klimatik, mirëpo edhe për të zbutur pasojat e tij.

Njohuria e Kosovës për sasinë e gazit serë që prodhohet (dhe nga kush prodhohet) është e kufizuar, dhe kjo duhet të nisë me themelimin e një mekanizmi monitorues të duhur.

Në zhvillimin ekonomik, Kosova ka detajuar masat që po ndërmerr për t’u mundësuar komunave marrjen e kompetencave që janë decentralizuar te ato. Një vëmendje e veçantë iu kushtua amendamenteve të Ligjit për Financimin e Qeverisjes Lokale dhe zhvillimin institucional, veçanërisht ndërtimin e kapacitetit institucional.

KE ka treguar gjithashtu se është koha që Kosova të fillojë të përgatitet për të qenë përfituese e fondeve strukturore të BE-së, që është e mundshme në kuadër të financimit aktual IPA II.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)