BB inspekton projektin e ndërtimit të TC "Kosova e Re"
Prishtinë, 12 korrik - Paneli Inspektues i Bankës Botërore si organizëm i pavarur që inspekton projektet e Bankës dhe përkujdeset që Banka ti përcjellë rregullat e saj të brendshme gjatë realizimit të projekteve ka dalë me rekomandim në lidhje me inspektimin e involvimit të Bankës në përkrahjen e ndërtimit të termocentralit Kosova e Re.
Me 29 mars 2012, përfaqësues të fshatrave të Kastriotit, Dardhishtë, Lajthishtë, Cerna Vidoca dhe Hade, Sindikata e Pavarur e KEK-ut (SPEK) si dhe tri OJQ të Kosovës (Instituti për Politika Zhvillimore (INDEP), Instituti për Studime të Avanciara (GAP) dhe Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ)) - kanë kërkuar inspektim të punës së Bankës në Projektin Energjetik të Kosovës (Kosovo Power Project (KPP)) si dhe Projektin e Asistencës Teknike për Energji me Linjit (Lignite Power Technical Assistance Project (LPTAP)).
Inspektimi është kërkuar për shkak të shqetësimeve që kishin ata për ndikimin potencial negativ social, ekonomik dhe ndikimit të mundshëm negative në ambient.
Përvec asaj, është kërkuar të inspektohet degradimi i tanishëm ambiental në sipërfaqën ku ndodhen termoelektranat si dhe humbja e vendeve të punës, që do të rezultoj nga privatizimit të prodhimit dhe mihjes së KEK-ut.
Paneli inspektues e shiqoi me kujdes Kërkesën për Inspektim si dhe përgjigjen qe Banka Botërore e kishte dërguar te Paneli Inspektues në lidhje me Kërkesën për Inspektim të punës së saj.
Paneli e bëri një vizitë në Kosovë, për ta parë vet gjendjen sociale, shëndetësore dhe ambientale në Kosovë, si rezultat i projekteve të tanishme dhe të planifikuara energjetike. Paneli tha që kërkesa për inspektim është legjitime dhe se shqetësimet për ndikimin e mundshëm negative të projekteve energjetike janë me vend.
Paneli gjithashtu tha se e kupton rëndësinë e punës analitike që do të bëhet përmes Verësimit të Ndikimit Social dhe në Ambient (Environmental and Social Impact Assessment (ESIA)), Planeve të Veprimit për Zhvendosjen e fshatrave nga zonat e mihjes (the Resettlement Action Plans (RAPs)) si dhe studimit për ndikim në vendet e punës, që është sugjeruar nga Banka Botërore. Banka ka premtuar se këto studime do të bëhen duke i përcjellur rregullat e Bankës.
Duke marrë të gjitha këto parasysh, Paneli vlerëson qe duhet të pritet deri sa të përfundojnë studimet e parapara tp ndikimit para se të shihet nese janë bërë thyerje të rregullave të Bankës Botërore në përkrahjen e ndërtimit të mundshëm të termocentralit të ri në Kosovë.
Mirëpo Paneli tha që komuniteti mund të kërkoj inspektim sa herë që të dyshojne se Banka nuk është duke vepruar sipas rregullave, procedurave dhe praktikave të mira për zvogëlimin e ndikimit negativ të projekteve që i përkrahë ajo.