BB dhe SHBA kanë mbështetur ndërtimin e Kosovës C
Prishtinë, 16 gusht - Kur është fjala tek ndërtimi i termocentralit Kosova C, qeveria e Kosovës po merr këshilla me bollëk nga këshilltarë të Bankës Botërore, tha një burim në Washington.
Ai shtoi më tej se Banka Botërore i kishte bërë komentet e saj dhe ja ka dërguar qeverisë rreth ofertës dhe çmimit që ka ofruar kompania amerikane ContourGlobal për ndërtimin e Kosovës C. Kompania gjigante operuese e energjisë elektrike me seli në New York, ContourGlobal shpreson të arrijë marrëveshje me qeverinë e Kosovës dhe të fillojë ndërtimin e termocentralit të ri gjatë 18 muajve të ardhshëm.
Politika e Bankës Botërore rreth termocentraleve tashmë është e njohur: banka nuk mbështet, përveç në raste të jashtëzakonshme ndërtimin e termocentraleve të reja me thëngjill. Në pesë vitet e fundit një e tillë është mbështetur nga Banka vetëm në Afrikën e Jugut. Aktualisht në rajon janë në ndërtim edhe dy termocentrale të reja, në Bosnjë dhe në Serbi.
Duke pas parasysh mungesën endemike të rrymës dhe mungesën e burimeve për energji ripërtëritëse, Banka Botërore tri vjet më parë ka mbështetur edhe ndërtimin e termocentralit të ri në Kosovë, ndërkohë që ka marrë qindra letra nga OJQ, përfshi edhe ato të Kosovës kundër kësaj mbështetjeje.
Edhe qeveria Amerikane ka deklaruar dhe e ka mbështetur ndërtimin e Kosovës C, si një zgjidhje afatgjate për energji stabile në vend. Kosova C, sipas Washingtonit, do të plotësojë të gjitha standardet dhe kriteret mbi emisionet dhe gazrat dhe të politikave të mjedisit të Bashkimit Evropian. Mirëpo, edhe në Washington ka pakënaqësi rreth vonesës së vendimit dhe nisjes së realizimit të këtij projekti kyç për zhvillimin e Kosovës.
Sipas burimeve ndërkombëtare dhe atyre vendore, Kosova ka dy alternativa për një stabilitet afatgjatë të energjisë me kapacitetet ekzistuese dhe ato të reja. Derisa Kosova C do të ofrojë 600 megavat, një propozim nga Gjermania për rehabilitimin i tërësishëm me ndërtimin e katër njësive të Kosovës A do ti krijonte Kosovës edhe 800 megavat dhe zgjatje të jetës edhe për 30 vjet. Po qe se realizohen dy projektet, Kosova do të bëhej një gjigant energjik në rajon, ashtu siç është me rezervat e mëdha të thëngjillit.
/rtk/