24 Dhjetor 2024

Banorët e veriut të Mitrovicës nuk paguajnë faturat e rrymës

Mitrovicë, 10 dhjetor - Banorët shqiptarë të veriut të Mitrovicës, si dhe komunitetet tjera joserbe, janë të barabartë me serbët vetëm me mospagesën e faturave të energjisë elektrike dhe atyre të ujit të shpenzuar.

Që nga paslufta, veriu i Mitrovicës nuk ka paguar as edhe një cent të vetëm për rrymën dhe ujin e shpenzuar.

Më përpara KEK-u, e tani edhe kompania që ka privatizuar distribucionin, “Limak-Çelik”, e njohur si KEDS, nuk kanë qasje në pjesën veriore.

Madje, këta të fundit nuk dinë saktësisht sa është borxhi i mëparshëm si dhe për borxhet që i ka veriu pas ardhjes së tyre. Aktualisht KEDS-i është furnizues publik në gjithë territorin e Kosovës, përfshirë edhe veriun.

Bazuar në të dhënat e një viti më parë, veriu i Kosovës i ka borxh KEK-ut përafërsisht 120 milionë euro, pasi që borxhi vjetor është rreth 20 milionë euro. Vitin që shkoi, sipas ish-zëdhënësit të KEK-ut, Viktor Buzhala, borxhi i veriut ka qenë 100 milionë euro.

“Kosova dhe Serbia janë në fazën e finalizimit të marrëveshjes së implementimit. KEDS nuk është pjesë e bisedimeve ndërmjet dhe nuk mund të komentojë asgjë në lidhje me borxhet, por edhe për shkak se nuk kemi informacione të sakta”, ka thënë Guri Shkodra, zëdhënës i KEDS-it.

Por, gjithçka është e qartë sa i përket borxheve për ujin e shpenzuar. Në kompaninë Ujësjellësi Rajonal Mitrovica, në jug, precizojnë se veriu i ka borxh URM-së saktësisht 9.5 milionë euro. Drejtori i kompanisë, Faruk Hajrizi, i kontaktuar me telefon, i ka thënë gazetës, se veriu mesatarisht harxhon ujë rreth 800 mijë euro në vit.

“Prej përfundimit të luftës banorët e veriut nuk kanë paguar për ujin e shpenzuar, ndërsa ne ua distribuojmë panderprerë ujin, sipas nevojave të tyre. Atje nuk paguajnë as serbët, as shqiptarët dhe komunitetet tjera. Qeveria e Kosovës është përpjekur dhe vazhdimisht na ka subvencionuar për ujin që e kemi dërguar në veri dhe kjo na ka ndihmuar që të mbesim në këmbë. Këtë vit, Ministria e Zhvillimit Ekonomik ka subvencionuar kompaninë me 366 mijë euro, por kanë mbetur edhe rreth 500 mijë euro, të cilat përpiqemi t’i mbledhim, por pa ndonjë shpresë se këtë do të mund ta bëjmë vetëm”, ka thënë drejtori Hajrizi.

Sipas tij, borxhe të mëdha kanë edhe qytetarët, institucionet publike dhe bizneset edhe në jug, por të paktën rreth paguhen rreth 50 për qind e tyre.

“Ne vërtet jemi në hall me borxhet dhe me borxhlinjtë edhe në jug. Ne do t’i ashpërsojmë masat dhe së shpejti do të vendosim për ta shkyçur nga rrjeti gjithë veriun, por edhe jugun, nëse faturat për ujin e shpenzuar nuk paguhen”, thotë ai.

I pyetur nëse Ndërmarrja Komunale Shërbyese “Ibar” në veri të Mitrovicës mbledh mjete nga qytetarët për ujin e shpenzuar, siç kishte deklaruar më herët drejtori i kësaj ndërmarrjeje, Vlladimir Rakiq, drejtori Hajrizi është përgjigjur, se për diçka të tillë nuk ka informacione.

Në anën tjetër, një banore i “Lagjës së Boshnjakëve”, Remzie Haziri, tha se për gjithë këto vite të pasluftës, nuk kanë paguar as për rrymë e as për ujë.

“Bile, në këtë kemi qenë të barabartë, në të gjitha të tjerat jemi shkelur, jemi përbuzur”, ka thënë ajo.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)