28 Dhjetor 2024

Banorët e Drenasit protestojnë kundër ndotjes se ajrit nga Feronikeli

Prishtinë, 19 gusht - Përfaqësues të banorëve të Drenasit, asambleistë e përfaqësues të OJQ-ve nga kjo komunë, të mërkurën kanë protestuar para Ministrisë së Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor për të shprehur pakënaqësinë e tyre ndaj ndotjes, që po shkaktohet nga fabrika e përpunimit të metaleve, Ferronikeli.

Asambleisti i Partisë Demokratike të Kosovës në këtë komunë, Xhavit Drenori tha se, kjo ndotje po shkakton vrasje masive të qytetarëve të Drenasit.

“Me mosmonitorimin e mjedisit, respektivisht ajrit ose oksigjenit që thithin qytetarët e Drenasit, atyre po u bëhet çdo ditë shkelje e të drejtave elementare të njeriut. Me këtë, me të drejtë besoj se e quajmë një vrasje masive të qytetarëve të Drenasit, afatgjatë, sepse numri i rasteve të prekur me kancer në këtë komunë po rritet në mënyrë drastike nga viti në vit. Prandaj, ne u bëjmë thirrje institucioneve përkatëse, veçanërisht Ministrisë së Mjedisit, e cila detyrohet me ligj të kryejë punën e saj”, tha Xhavit Drenori, asambleist i PDK-së në Drenas.

Drenori bëri të ditur se, vitin e kaluar ka ngritur kallëzim penal kundër Ministrisë së Mjedisit lidhur me këtë shqetësim.

Në njërën nga pankartat, protestuesit kanë renditur numrin e të prekurve me kancer në komunën e Drenasit, ku është shkruar se “për vitin 2012 janë diagnostikuar 15 raste me kancer; 40 raste në vitin 2013; ndërsa vetëm në vitin 2014 plot 211 raste”.

Organizatorët kanë kërkuar nga Ministria e Mjedisit të publikojë të dhëna mbi cilësinë e ajrit, ashtu sikurse ndodh në komunat e tjera, dhe të kryejë detyrimet e veta ligjore. Ata kanë paralajmëruar protesta masive, në rast se ministria në fjalë nuk reflekton ndaj kërkesave të tyre.

Ndërsa qytetarët janë tejet të shqetësuar, pasi - sipas tyre, - në orët e pasditës bie një shtresë e pluhurit të zi, i cili lëshon erë të rëndë që vështirëson frymëmarrjen.

“Kurrë s’kemi pasur pengesa para luftës, ndërsa pas luftës nuk merret askush. Pasdite bëhet gjithçka e zezë. Merreni me mend, as shpendët nuk i kemi më siç i kemi pasur, nuk vijnë për shkak të mbeturinave të Ferronikelit që fluturojnë mbi ne”, tha një qytetare e Drenasit.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)