Banka Botërore mbështetë efikasitetin e Energjisë në Kosovë
Uashington, 19 qershor - Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore ka aprovuar sot Projektin për Efikasitet të Energjisë dhe Energji të Ripërtërishme në Kosovë, në vlerë prej 31 milionë dollarëve, që synon reduktimin e konsumit të energjisë dhe përdorimit të vajrave fosile në ndërtesat publike.
Përmes këtyre investimeve, Banka Botërore po mbështet Kosovën në zbatimin e një strategjie gjithëpërfshirëse të energjisë dhe përmirësimin e politikave dhe mjedisit rregullator për energjinë e ripërtërishme dhe efikasitetin e energjisë.
Kosova ka potencial të konsiderueshëm për të rritur efikasitetin e përdorimit të energjisë dhe për të integruar burimet e ripërtërishme në miksin e saj të furnizimit me energji\", tha Jan-Peter Olters, Menaxheri i Bankës Botërore për Kosovën.
\"Ky projekt do të ndihmojë për të demonstruar përfitimet mjedisore dhe qëndrueshmërinë ekonomike të strategjisë së energjisë në vend, me synimin për të siguruar një miks më të pastër të energjisë, në një mënyrë të qëndrueshme dhe të përballueshme.
Investimet për efikasitet energjetik në sektorin publik mund të zvogëlojnë në mënyrë të konsiderueshme shpenzimet e energjisë, duke krijuar hapësirë fiskale për prioritetet e tjera të zhvillimit, duke rritur konkurrencën dhe duke krijuar vende të punës. Përvoja ndërkombëtare ka treguar se investimet në efikasitetin e energjisë në sektorin publik mund të ndihmojnë si katalizator për tregjet e efikasitetit të energjisë, duke u lejuar qeverive që të udhëheqin me anë të shembujve dhe të hapin rrugën për përmirësime të ngjashme në sektorin privat.
Një vlerësim i tregut në Kosovë në vitin 2013 i bërë nga Banka Botërore tregoi se sektori i ndërtesave përbën 47.5 për qind të konsumit final të energjisë dhe ka një potencial të efikasitetit të energjisë prej rreth 44 për qind.
Ndërtesat publike paraqesin potencialin më të lartë të kursimeve me 38-47 për qind në ndërtesat komunale, dhe deri në 49 për qind në ndërtesat e qeverisë qendrore. Këto kursime mund të kontribuojnë në kursime të konsiderueshme buxhetore për Qeverinë e Kosovës dhe të krijojnë hapësirë për investime të tjera të nevojshme në ekonomi.
Qeveritë komunale dhe ajo qendrore pritet të përfitojnë nga projekti nëpërmjet shpenzimeve të reduktuara të energjisë, rinovimit të ndërtesave, dhe përmirësimit të komoditetit dhe funksionalitetit të brendshëm.
Ministria e Zhvillimit Ekonomik, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Agjencia Kosovare për Efikasitetin e Energjisë, dhe Zyra e Rregullatorit të Energjisë do të zhvillojnë aftësinë e tyre për të nxitur investime të qëndrueshme të energjisë në të gjithë vendin. Sektori privat po ashtu do të përfitojë në disa mënyra.
Përmirësimet në mjedisin rregullativ pritet të lehtësojnë marrjen më të shpejtë të lejeve dhe një hyrje më të madhe në treg për zhvillimin e energjisë së ripërtëritshme.
Furnizuesit e pajisjeve të energjisë së ripërtërishme dhe efikasitetit të energjisë dhe ofruesit e shërbimeve pritet të përfitojnë nga rritja e kërkesës për mallra dhe shërbimet e tyre. Duke modernizuar dhe duke zvogëluar përdorimin e energjisë në universitete dhe spitale, studentët dhe pacientët do të përfitojnë nga nivelet e përmirësuara të komoditetit, funksionaliteti, dhe nga zvogëlimi i ndotjes së ajrit.
Agjencia Kosovare për Efikasitetin e Energjisë e do të jetë agjencia kryesore përgjegjëse për zbatimin teknik të projektit të propozuar.