Arrihet marrëveshja e Glasgout për Klimën
Glasgow, 13 nëntor - Samiti i Kombeve të Bashkuara për ndryshimet klimatike (COP26) ka përfunduar pasi të gjitha vendet pjesëmarrëse arritën një marrëveshje të re klimatike që do të përpiqet të mbajë ngrohjen globale në 1,5 gradë Celsius.
Marrëveshja përfundimtare, Pakti i Glasgout për Klimën, erdhi pas negociatave të gjata që vazhduan deri të shtunën mbrëma, pasi India ndërhyri për të ndryshuar tekstin në lidhje me përdorimin e qymyrit.
Me ndërhyrjen e minutës së fundit, India kërkoi të ndryshonte tekstin përfundimtar të marrëveshjes të shkruar “reduktim gradual” në vend të “heqje graduale” për energjinë me qymyr.
Ndërkaq, Zvicra shprehu “zhgënjimin e saj të thellë” për vendimin për të “zbutur” gjuhën rreth lëndëve djegëse fosile dhe qymyrit.
“Ne nuk duam të reduktojmë gradualisht qymyrin, por duam ta heqim gradualisht qymyrin”, tha delegati zviceran në takimin përfundimtar, duke shtuar se megjithatë, ata do ta nënshkruajnë versionin e ri.
Duke shprehur gjithashtu zemërimin dhe zhgënjimin e tyre, vendet më të vogla, duke përfshirë Fixhin, Ishujt Marshall dhe Antigua dhe Barbudan, thanë gjithashtu se do të nënshkruajnë marrëveshjen.
Lihtenshtajni tha gjithashtu se janë “thellësisht të zhgënjyer”.
“Por për të mirën më të madhe, ne duhet ta gëlltisim këtë pilulë të hidhur”, tha i dërguari i vendit.
Frans Timmermans, nënkryetari i Komisionit Evropian, tha se ishte “zhgënjyese” zbutja e gjuhës së tekstit, por kjo nuk duhet ta ndalojë atë dhe BE-ja do të punojë drejt heqjes së qymyrit.
Presidenti i COP26, Alok Sharma, tha se ai e kupton “zhgënjimin e thellë, por është jetike që ne ta mbrojmë këtë paketë”.
Greenpeace reagoi ndaj ndryshimit të minutës së fundit, por tha se epoka e qymyrit po përfundon.
“Ata ndryshuan një fjalë, por nuk mund të ndryshojnë sinjalin që del nga ky COP: epoka e qymyrit po përfundon”, shkroi grupi ambientalist në Twitter.
“Nëse jeni një drejtues i një kompanie qymyri, ky COP ishte një rezultat i keq”, tha Greenpeace.
“Është në interes të të gjitha vendeve, përfshirë ato që ende djegin qymyr, kalimi në energji të rinovueshme të pastër dhe vendet më të pasura duhet të bëjnë më shumë për të mbështetur ndryshimin. Nga kjo varet e ardhmja jonë”, shkroi grupi.
COP26, i konsideruar nga shumë njerëz si shpresa e fundit për të mbajtur gjallë objektivin për frenimin e rritjes së ngrohjes globale në 1,5 gradë, ka vazhduar në Glasgou që nga 1 nëntori.
Në dy ditët e para shumë liderë botërorë u mblodhën për të diskutuar hapat e ardhshëm për planetin.
“Sa më shumë të vonojmë marrjen e veprimeve, aq më e keqe është situata dhe aq më të mëdha janë pasojat kur detyrohemi të ndërmarrim veprime”, tha në ditën e hapjes kryeministri britanik Boris Johnson.
COP26 përfshiu panele, takime dhe ngjarje të shumta të planifikuara në margjina të konferencës. Të gjitha këto aktivitete synonin gjetjen e zgjidhjeve për të reduktuar ngrohjen globale duke e mbajtur atë në 1,5 gradë celsius.