Armitage kërkoi realizimin e projektit energjetik Kosova e Re
Prishtinë, 13 nëntor - Presidentja e Republikës së Kosovës, Zonja Atifete Jahjaga priti sot në një takim Drejtoren e Bankës Botërore për Evropën Juglindore, zonjën Jane Armitage dhe menaxherin e Bankës Botërore për Kosovë, Jan-Peter Olters, me të cilët bisedoi për projektet aktuale zhvillimore, situatën makroekonomike dhe për energjinë.
Presidentja Jahjaga e vlerësoi ndihmën që Banka Botërore i ka dhënë dhe vazhdon ti japë Kosovës. Ajo tha se ndihma e Bankës Botërore për Kosovën ka qenë shumë e dobishme për sektorët e ndryshëm të ekonomisë dhe për ndërtimin e kapaciteteve vendore, si dhe në përmirësimin e mjedisit të biznesit.
Presidentja Jahjaga theksoi se anëtarësimi i Republikës së Kosovës në Bankën Botërore dhe në Fondin Monetar Ndërkombëtar ka ndihmuar në njohjen ndërkombëtare të vendit dhe i ka hapur Kosovës rrugën për anëtarësim në organizatat e tjera rajonale dhe ato ndërkombëtare, që do të ndihmojnë vendin në zhvillimin e infrastrukturës dhe ngritjen e mirëqenies së qytetarëve të vendit.
Zonja Armitage nga ana e saj vlerësoi arritjet që ka shënuar Kosova gjatë katër viteve të fundit dhe theksoi rëndësinë që ka ruajtja e stabilitetit makrofinanciar të vendit.
Ajo tha se Kosova, përkundër sfidave që ka shkaktuar kriza ekonomike globale, ka arritur të ruajë një normë të kënaqshme të rritjes ekonomike prej 3-4 për qind dhe ka mbajtur në nivel të ulët borxhin publik.
Ajo më tej theksoi rëndësinë e vazhdimit të reformave në sektorët kyçë për vendin, të cilat do të mbështeten edhe nga Banka Botërore, për kryerjen e investimeve të mëtejshme në këto fusha, duke pasur për qëllim përmirësimin e ambientit mjedisor dhe hapjen e vendeve të reja të punës.
Zonja Armitage, në takimin përshëndetës me Presidenten Jahjaga, rikujtoi rëndësinë që ka për Kosovën realizimi i projektit energjetik Kosova e Re dhe shfaqi shpresën që ky projekt do të realizohet në një afat sa më optimal, me përkrahjen e vazhdueshme të Bankës Botërore.