23 Dhjetor 2024

Aliu: Shtrenjtimi i energjisë, pasoja e kontratës Limak-Çalik

Prishtinë, 14 shkurt - Zhvillime të çuditshme po i vijnë vërdallë sektorit të energjisë në Kosovë. Faturat e janarit e të dhjetorit janë indikatori më i qartë i së ardhmes së çmimit të energjisë elektrike.

Deputeti i Vetëvendosje Liburn Aliut në fjalimin e tij në Kuvendin e Kosovës ka thënë se këto fatura, po qe se i heqim gabimet në lexim dhe shtimin e padrejtë dhe jo logjik të konsumit të dhjetorit në faturën e janarit, respektivisht të konsumit të nëntorit në faturën e dhjetorit, janë rrjedhojë e drejtpërdrejtë e shtrenjtimit të energjisë elektrike.

Ky shtrenjtim është miratuar nga ZRrEE-ja nga 1 qershori i vitit 2012. Pak a shumë në të njëjtën kohë me shpalljen e konsorciumit Limak- Çalik si oferta më e mirë për privatizimin e Rrjetit të Distribucionit e Furnizimit.

Dhe tash sipas Aliut një rritje tjetër prej 10% pritet të shqyrtohet dhe të miratohet nga ZRrEE-ja në prill të këtij viti, pra pak kohë para se Limak-Çalik ta merr përfundimisht nën menaxhim KKDFE-në.

Ali ka theksuar se energji elektrike të shtrenjtë për konsumatorin është parajsa e kompanisë privatizuese në këtë sektor. E në kushte të monopolit privat në shpërndarje dhe furnizim, kjo bëhet domosdoshmëri. Energjia është shtrenjtuar për 45% në Shqipëri pas privatizimit. Po ashtu, është shtrenjtuar në Maqedoni, Mal të Zi.

"Ministri Beqaj dhe apologjetët tjerë të këtij skandali të shitjes kanë tentuar disa herë të na bindin se këtu do të jetë ndryshe. Edhe vërtetë këtu qenka ndryshe: në vendet tjera që i përmenda më lartë shtrenjtimi ka ndodhur pas transferimit të pronës te kompania private dhe me kërkesë të saj. Madje në disa raste në Shqipëri por edhe në Maqedoni ka pasur rezistencë të shtetit ndaj kërkesave të kompanisë private. Në Kosovë kjo po ndodh para transferimit, dhe atë me kërkesë të kompanisë publike, për t’ia bartur pastaj frytet kompanisë private", ka theksuar Aliu.

Asnjëherë në historikun e KEK-ut si kompani publike sipas tij nuk ka pasur rritje kaq të shpeshtë dhe kaq të madhe të çmimit të energjisë, gjë që do ta kishte ndihmuar këtë kompani. Rritja siç ka theksuar ai po bëhet vetëm atëherë kur e pasuron kompaninë private.

Ndërkohë 8 milionë euro janë duke u investuar në ndërrimin dhe digjitalizimin e njehsorëve pikërisht këta muaj.

Aliu ka vlërsuar se po investohen para publike në një kompani private. Po subvencionohet pra sektori i energjisë, tash ku po privatizohet.
 
Tash e 13 vite njëri prej problemeve kryesore në KEK ka qenë energjia e pa inkasuar, apo e vjedhur.

"Njehësorët digjitalë do të kishin qenë një ndihmesë jashtëzakonisht e madhe për ta përmirësuar këtë gjendje. Asnjëherë asnjë qeveri nuk ndërmori këtë investim. Dhe tash kur po privatizohet, po i investojmë 8 milionë euro në to. Kjo është logjika e kësaj Qeverie shkatërrimi i publikes për privatizim dhe deri në privatizim. E pastaj përdor të gjitha mjetet shtetërore, përfshirë paranë publike për ta ndihmuar të njëjtën ndërmarrje", ka thënë në fund deputeti Aliu.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)