Aksion i madh pastrimi për nder të Ditës së Evropës
Prishtinë, 9 maj - Për herë të parë, disa nga akterët përgjegjës për mjedisin, do të bashkohen për të realizuar një aksion të madh pastrimi, i cili do të rezultojë me largimin e një deponie të madhe të mbeturinave në fshatin Bardhosh të Komunës së Prishtinës.
Banorët e këtij fshati tash e disa vite kanë bashkëjetuar me një deponi të tillë, ku shpeshherë edhe i kanë djegur mbeturinat, duke shkaktuar ndotjen e ajrit.
Sot duke filluar nga ora 9:00 për nder të Ditës së Evropës, Iniciativa Ta Pastrojmë Kosovën në bashkëpunim me Komunën e Prishtinës, përkatësisht Drejtorinë e Shërbimeve Publike, me ndërmarrjen Pastrimi dhe Kompaninë për menagjimin e mbeturinave në Kosovë (KMDK) do të largojnë një nga deponitë më të madhe të mbeturinave në kryeqytet, që gjendet në fshatin Bardhosh, pastrimi i së cilës do të bëhet me eskavator.
Ndërmarrja Pastrimi do të ndihmojë aksionin, duke ofruar makinerinë për largimin e mbeturinave, ndërsa KMDK, nuk do të faturojë largimin e mbeturinave nga deponitë ilegale, të cilat do të dërgohen nëpër vendet ku janë deponitë legale.
Iniciativa Ta Pastrojmë Kosovën u bënë thirrje banorëve të fshatit Bardhosh, që ti bashkohen këtij aksioni, duke u mobilizuar bashkë me ne për largimin e asaj deponie.
Por, ky aktivitet nuk do të jetë i vetmi për nder të 9 Majit, Ditës së Evropës. Aksioni i radhës do të realizohet nga ora 11:00, ku vullnetarët e Iniciativës Ta Pastrojmë Kosovën në bashkëpunim me punëtorët e Muzeut të Kosovës, do të pastrojnë parkun e muzeut, në të cilin do të mbjellin pastaj drunj dekorativ, të njohur si Paulownia.
Aktivitetet për nder të 9 Majit, do të përmbyllen me pjesëmarrje në aktivitetin e organizuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, i cili do të mbahet në sheshin Zahir Pajaziti, nga ora 13:30.