Akademia e KEDS prek modernitetin në Turqi
Prishtinë, 25 shtator - Studentët më të dalluar të Akademisë së KEDS-it kanë parë për së afërmi teknologjinë më bashkëkohore të distribuimit të energjisë elektrike dhe metodat më efikase të menaxhimit të kompanive të kësaj natyre në Turqi.
Gjatë qëndrimit të tyre njëjavor në Stamboll, Bursa dhe Samsun, 10 pjesëtarët e Akademisë së bashku me përfaqësuesit e KEDS kanë përfituar njohuri praktike dhe teorike nga profesorë eminent të Universitetit Bogazici të Stambollit dhe menaxhmentit të lartë të kompanive të distribuimit dhe furnizimit me energji elektrike, kryesisht në pronësi të kompanive prestigjioze Çalik dhe Limak.
Në Stamboll studentët janë pritur nga zëvendësdrejtori i përgjithshëm i Limak Energy dhe anëtari i Bordit Ekzekutiv të KEDS-it, z. Mesut Serhat Dinc, i cili është edhe ideatori i KEDS Akademisë.
Kjo vizitë është edhe një tregues se ju e keni përkrahjen tonë të plotë. Do të vazhdojmë t ju mbështesim. Ne jemi të përkushtuar të investojmë në avancimin e njohurive profesionale për gjeneratat e reja. Këtë e përforcon edhe nisja e gjeneratës së dytë të KEDS Akademisë, përgatitjet për të cilën janë në fazën përfundimtare, tha z. Dinc.
Gjatë vizitës studentët vizituan kompaninë Yedas, ku mësuan për investimet e korporatës dhe investimet operacionale dhe u pritën nga Drejtori Gjeneral i Yedas, njëkohësisht edhe Drejtori Ekzekutiv i Bordit të KEDS, z. Nurettin Turkoglu. Drejtori Turkoglu deklaroi që kompania që ai e udhëheq, është ndër të parat në Evropë në fushën e distribuimit të energjisë elektrike deri sa është prioritet i kompanisë që edhe KEDS të ofrojë kualitetin e njëjtë të lartë për konsumatorë.
Kosova do të jetë model në fushën e distribuimit dhe do të aplikojmë të gjitha njohuritë e fituara gjatë përvojës sonë të suksesshme në Turqi., deklaroi z.Turkoglu.
Kjo vizitë ndihmon rrjetin e distribuimit në Kosovë, duke ofruar njohuri për gjeneratat e reja që ua mundësojnë atyre të aplikojnë metodat e njëjta në rrjet.
Studentët treguan përkushtim dhe profesionalizëm në parashtrimin e pyetjeve te ekspertët eminent në lëmin e energjetikës dhe menaxhimit. Pjesëtarët e Akademisë së KEDS treguan se kanë njohuri dhe ishin mjaft aktiv që të mësojnë sa më shumë gjatë vizitës në Turqi, tha Valbonë Kadrijaj, Drejtoreshë e Burimeve Njerëzore në KEDS.
Edhe studentët janë ndarë mjaft të kënaqur me njohuritë e përfituara. Mësuam se si po aplikohen format më moderne të operimit të rrjetit. Më ka bërë përshtypje se si merren me çdo detaj të zhvillimit të mëtutjeshëm të teknologjisë së rrjetit distributiv. E kemi parë rrugën që do ta ndjekim edhe në Kosovë, tha Egzon Nura, pjesëtar i KEDS Akademisë, i cili ishte në mesin e studentëve që vizituan Turqinë.
Akademia e KEDS është program i themeluar nga KEDS që ka për qëllim të ofrojë trajnime dhe punësim për të rinjtë, studentë në Fakultetin e Inxhinierisë Elektrike të Universitetit të Prishtinës.
Programi është bashkëpunim ndërmjet KEDS, Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë dhe Universitetit të Prishtinës. 50 studentë fillimisht ishin pjesëmarrës në trajnimet e organizuara nga KEDS dhe Universiteti Bogazici në Turqi dhe pas trajnimit dhe diplomimit, u bënë pjesë e KEDS duke kontribuar kështu në fushën e distribuimit dhe furnizimit me energji elektrike.