Agani: Kosova kontribuese në fushën e ndryshimeve klimatike
Kjo konferencë u organizua nga Qendra Rajonale e Mjedisit për Evropën Qendrore dhe Jug-Lindore (REC) Zyra në Kosove në bashkëpunim me Fondin Franko-Gjerman (Ambasada Franceze dhe Gjermane në Kosovë) dhe me kontribut të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit.
Ministri Agani, me këtë rast tha se në kuadër të këtij anagazhimi, Kosova përmes MMPH-së, ka bërë një sërë veprimesh për të përmbushur nevojën për monitorimin e ndryshimeve klimatike, adaptimin ndaj tyre dhe zbutjen e ndikimeve që vijnë nga këto ndryshime.
Ai tha se në kuadër të legjislacionit nacional për ndryshime klimatike, aspektet që ndërlidhen me këto ndryshime janë përfshirë në legjislacionin mjedisor përkatës duke përfshirë Ligjin e Mjedisit, Ligjin për Mbrojtjen e Ajrit nga Ndotja, Ligjin e ujërave dhe ligjet tjera relevante.
Po ashtu në kuadër të luftës për ndryshimet klimatike, ministri Agani tha se është miratuar strategjia për ndryshimet klimatike 2014-2024, e cila është në përputhje me kornizën e pritshme të politikave të BE-së për klimën dhe energjinë.
Në këtë konferencë morën pjesë edhe ambasadorja e Gjermanisë në Kosovë, Angela Viets, dhe ajo e Francës, Maryse Daviet, të cilat vlerësuan se Kosova ka shënuar arritje të lartë në fushën e ndryshimeve klimatike dhe çdo herë ka vepruar sikur të jetë palë e Konventës të Kombeve të Bashkuara për Ndryshiemt Klimatike.
Drejtori i REC-it për Kosovë, Agron Bektashi tha se kjo konferenca është e orientuar në çështjen e ndryshimeve klimatike dhe do të jete kontribut i nismës globale e cila pritet të përfundojë me Konferencën e 21-të vjetore mbi ndryshimet klimatike të Kombeve të Bashkuara që do të mbahet në Paris nga 30 nëntor deri më 11 dhjetor 2015.