Aeroporti i Prishtinës do të zgjerohet, miratohet shtimi i 4 portave të reja
Prishtinë, 1 qershor - Në mbledhjen e fundit të Komitetit për Partneritet Publiko-Privat të mbajtur me 29 maj, 2023 është miratuar kërkesa e koncesionarit LKIA për shtimin edhe të 4 portave të reja të imbarkimit (boarding gates), duke e rritur kështu numrin e portave nga 8 në 12 gjithsej.
Zgjerimi i terminalit do të bëhet në anën jugore dhe në anën veriore të portave ekzistuese të imbarkimit, ndërsa buxheti i paraparë për këtë plan në total është rreth 3 milionë euro. Meqenëse Plani i Zgjerimit bie nën kompetencat e Partnerit Privat, zgjerimi i terminalit do të bëhet pa asnjë shpenzim shtesë për Dhënësin apo Qeverinë e Republikës së Kosovës.
Ky zgjerim synon që të rrisë kapacitetin e terminalit për të përballuar flukse më të mëdha të udhëtarëve, por edhe rritjen e komoditetit për pasagjerët që të kenë sa më të lehtë kalimin nëpër kontrollet e aeroportit.
Gjatë mbledhjes Komiteti miratoi edhe raportin vjetor për vitin 2022 si dhe diskutoi mbi kërkesën e partnerit privat për zgjatjen e afatit të koncesionimit me qëllim reflektimin e kohës së pandemisë ashtu siç parashihet në kontratë.
Sipas Raportit mbi Pasqyrat Financiare të Auditorit të Pavarur, të Ardhurat Bruto për vitin 2022 ishin 60,177,176€ apo 36.91% më të larta sesa viti paraprak, ndërkaq numri i udhëtarëve u rrit nga 2,198,414 në 3,012,108 pasagjerë, që paraqet një rritje prej 37%.