31 500 qytetarë kundër shtrenjtimit të energjisë
Prishtinë, 29 shtator - Ka arritur në 31 500 numri i nënshkrimeve për peticionin kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike. Përfaqësuesi i konsorciumit në mes të shoqërisë civile, konsumatorëve dhe sindikatave, Visar Azemi, ka deklaruar se deri të shtunën në mbrëmje janë grumbulluar 31 500 nënshkrime të qytetarëve për peticion kundër shtrenjtimit të çmimit të energjisë elektrike.
Azemi ka bërë me dije për gazetën Epoka e re se do ta vazhdojnë aktivitetin edhe në nëntë komuna të tjera të Kosovës.
Do të vazhdojmë të hënën dhe të martën në nëntë komuna të tjera të vogla, që kanë kërkuar ta nënshkruajnë peticionin, pasi qytetarët e kanë pasur të pamundur të shkojnë nëpër qendra të tjera për të dhënë nënshkrime. Andaj jemi duke e organizuar logjistikën për të shkuar në ato komuna në mënyrë që qytetarët ta nënshkruajnë peticionin, ka thënë Azemi, duke shtuar se komunat në të cilat do të vazhdojë aktiviteti i mbledhjes së nënshkrimeve janë: Kaçaniku, Shtimja, Lipjani, Kamenica, Malisheva etj.
Azemi ka theksuar se është arritur trefishi i nënshkrimeve të nevojshme për tiu drejtuar Kuvendit të Kosovës. Peticionin do ta dërgojmë në parlament dhe kërkohen 10 mijë nënshkrime, ndërsa ne kemi arritur trefishin e nënshkrimeve, ka deklaruar Azemi, duke shtuar se pasi interesimi i qytetarëve është ende i lartë, do të vazhdohet edhe më tutje aktiviteti për mbledhjen e nënshkrimeve. Ne po presim të funksionalizohet parlamenti, në mënyrë që ta dërgojmë sa më parë peticionin me nënshkrime.
Jemi duke shkuar paralelisht me ankimim të vendimit në mes të gjykatave përkatëse, po ashtu jemi duke punuar në draftin për Gjykatën Kushtetuese dhe atë Administrative, ka deklaruar ai.
Azemi është shprehur se aktivistët kanë qëndruar në qendra të ndryshme nga shtatë deri në dhjetë orë, varësisht se si ka pasur interesim por, sipas tij, ka pasur aktivistë që kanë shkuar edhe nëpër shtëpi të qytetarëve. Nënshkrimi i peticionit, përpos Prishtinës, më së shumti është bërë në Gjakovë, Mitrovicë dhe Ferizaj.