28 Dhjetor 2024

243 gjoba për ndotësit gjatë muajve maj - qershor

Prishtinë, 6 korrik - “Let’s Do It” ka vazhduar monitorimin e zbatimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore nga inspektorët komunal mjedisor dhe qendror dhe shqiptimin e gjobave për ndotësit. Bazuar në të dhënat e monitorimit rezulton se gjatë muajit maj dhe qershor janë shqiptuar gjithsej 243 gjoba mandatore.

Bazuar në të dhënat që “’Let’s Do It” ka marrë nga komunat dhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, rezulton se më shumë gjoba janë shqiptuar gjatë muajit maj – 152 gjithsej – sesa gjatë muajit qershor, 91 gjithsej.

Lloji më i shpeshtë i gjobave të shqiptuara gjatë këtyre muajve ishte shpërndarja e fletushkave në hapësirat e ndaluara si dhe hedhja e mbeturinave në vende joadekuate.

Komunat me më së shumti gjoba të shqiptuara për muajin maj janë: Komuna e Ferizajt me 36 gjoba, Komuna e Mitrovicës me 24 gjoba, Komuna e Prishtinës me 17 gjoba po aq sa ka edhe Komuna e Pejës.

Gjatë këtij muaji, gjashtë gjoba i ka shqiptuar Komuna e Suharekës, pasuar nga komunat, si: Malishevë e Vushtrri me nga pesë gjoba të shqiptuara. Po aq ka shqiptuar edhe Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor gjatë këtij muaji.

Në Junik, Prizren dhe Kamenicë janë shqiptuar nga katër gjoba, ndërsa tri gjoba janë shqiptuar në komunat si Klinë, Deçan dhe Gjakovë. Nga dy gjoba kanë shqiptuar komunat, si: Skenderaj, Hani i  Elezit, Rahovec, Shtime, Lipjan dhe Drenas. Nga një gjobë kanë shqiptuar Gjilan dhe Obiliq, derisa me zero gjoba për muajin maj janë komunat si Fushë Kosovë, Podujevë, Kaçanik dhe Istog.

Më pak gjoba janë shqiptuar nga inspektorët mjedisor gjatë muajit qershor.

Sipas të dhënave të monitorimit nga ekipi i “Let’s Do It Kosova” rezulton se në këtë muaj, komuna me më së shumti gjoba të shqiptuara është sërish Ferizaj me 40 gjoba të shqiptuara, pasuar nga Komuna e Prishtinës me 12 gjoba të shqiptuara.

Komuna e tretë me më së shumti gjoba të shqiptuara gjatë qershorit është Peja me gjithsej shtatë. Pesë gjoba ka shqiptuar MMPH, ndërsa nga katër gjoba janë shqiptuar në komunat si Kamenica dhe Klina.

Nga tri gjoba janë shqiptuar në komunat: Hani i Elezit, Deçan dhe Malishevë. Në Skenderaj, Rahovec dhe Drenas janë shqiptuar vetëm nga dy gjoba.

Vetëm një gjobë është shqiptuar në komunat si Vushtrri, Gjilan, Shtime dhe Lipjan. Ndërsa, me zero gjoba për ndotësit për muajin qershor janë komunat si Fushë Kosova, Obiliq, Podujevë, Mitrovicë, Viti, Kaçanik, Prizren, Gjakovë, Istog, Junik dhe Suharekë.

Në muajin maj të këtij viti, “Let’s Do It Kosova” së bashkë me akterët përgjegjës për fushën e mjedisit ka mbajtur një tryezë në të cilën është diskutuar për politikat mjedisore dhe sfidat në zbatimin e tyre.

Në atë tryezë u prezantua edhe raporti gjashtë mujorit të parë të monitorimit të Udhëzimit Administrativ për Gjoba Mandatore. Monitorimi i prezantuar në raport ishte realizuar gjatë periudhës gjashtë mujore, nga nëntori i vitit 2018 deri në muajin prill të vitit 2019.

Nga monitorimi i gjashtë mujorit të parë rezultonte se gjatë asaj periudhe kohore ishin shqiptuar gjithsej 718 gjoba. Përgjatë atij gjashtë mujori, komunat me më së shumti gjoba të shqiptuara ishin Prishtina (180), Peja (69), Vushtrria (35), Deçan (31), Prizreni (27), Malisheva (26), Gjakova (25), Ferizaj (22),  Mitrovica (20). Ndërsa, komunat me më pak gjoba të shqiptuara ishin: Rahoveci (14), Klina (13), Gjilani (12), Juniku (10),  Istog (9), Kamenica (9), Suhareka (8), Shtime (8), Obiliqi (7), Skenderaj (7),  Drenas (6), Lipjan (6), Podujeva (5), Viti (2). Ndërsa, komunat që nuk kanë shqiptuar asnjë gjobë ishin: Fushë Kosova (0), Kaçanik (0), dhe Hani i Elezit (0).

Udhëzimi Administrativ “Nr. 06/2018-2019” ka për qëllim parandalimin e hedhjes së mbeturinave jashtë vendeve të caktuara, reduktimin dhe eliminimin e ndotjes, mbrojtjen e mjedisit dhe shëndetit të njeriut si dhe mbrojtjen e hapësirave publike dhe private nga ndotja, përmes menaxhimit të mbeturinave.

“Let’s Do It” do të vazhdojë monitorimin e këtij Udhëzimi edhe për një periudhë tjetër gjashtë mujore, për të matur progresin e zbatimit të tij dhe rregulloreve mjedisore komunale.
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)