169 milionë euro për ndërtimin e parkut energjetik me erë në Mitrovicë
Prishtinë, 17 dhjetor - Sot është mbajtur ceremonia e nënshkrimit të kontratës së financimit prej 169 milionë euro, që Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Erste Group Bank dhe NLB Group Bank, kanë dhënë për ndërtimin e parkut energjetik me erë në Bajgorë dhe Selac të Mitrovicës.
Në ceremoninë e nënshkrimit mori pjesë edhe kryetari i komunës, Agim Bahtiri, përfaqësues nga BERZH-i, nga Erste Group Bank, NLB Group Bank si dhe nga KOSTT-i.
Përmes këtij projekti, qyteti i Mitrovicës do të përfitojë nga energjia më e pastër dhe më e qëndrueshme, ku do të prodhohen 105 MW energji elektrike përmes 30 turbinave me erë.
Në fjalën e tij kryetari Bahtiri, theksoi se ndihet krenar dhe falenderues ndaj bashkëpuntorëve për këtë projekt madhor, duke thënë se qyteti i Mitrovicës tashmë është i garantuar për investime dhe vazhdimisht po realizohen projekte të shumta që janë në interes të qytetarëve.
Ky investim nga kompania “Sowi Kosovo LLC” i cili do të kushtojë 169 milionë euro, konsiderohet njëri nga projektet më madhore që nga pas lufta në fushën e investimeve në energji alternative.