Përurohen kullat e Kadrijave në Kroin e Vitakut
Mitrovicë, 23 nëntor - Shtëpitë e Kadriajve në Kroin e Vitakut, të cilat ngjajnë me kullat tradicionale shqiptare janë përuruar të premten në një ceremoni të organizuar nga Komuna e Mitrovicës.
Shiritin e përurimit e ka prerë kryetari i komunës, Avni Kastrati, bashkë me Zyrafete Kadriun, të shoqen e ish-piktorit, Kadri Kadriu, vëllain e tij, Ali Kadriun si dhe drejtorin për Infrastrukturë, Rasim Veseli.
Kryetari Kastrati, shprehu kënaqësinë e tij të madhe për këtë ngjarje të shënuar për Mitrovicën. Unë, qytetarët e Mitrovicës, por edhe të gjithë Kosovës, kemi sot një kënaqësi të veçantë sepse të gjithë kemi pritur me pa durim kthimin e këtyre dy familjeve në këto dy shtëpi, gjegjësisht në këto dy kulla
Ai tha se këto kanë qenë pika fillestare e rindërtimit të shtëpive në Kroin e Vitakut. Unë dua të falënderoj zonjën Zyrafete dhe Aliun për qëndrimin e tyre gjatë këtyre viteve sepse sikur mos të kishin qenë këmbëngulës për tu kthyer në shtëpinë e tyre, ndoshta edhe rrjedhat e ndërtimit do të shkonin ndryshe.
Shumë të lumtur për rindërtimin e shtëpive u shprehën edhe pronarët e tyre, Zyrafetja dhe Aliu. Bashkëshortja, e ish-piktorit, Kadriu, Zyrafetja, tha se pas 13 viteve e 8 muajve po kthehen në shtëpitë e tyre. Jemi të lumtur që po kthehemi në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
Ndërsa, Ali Kadriu, i cili ishte bërë një personazh i njohur në kronikat televizive, me qëndrimin e tij këmbëngulës për tu kthyer në shtëpinë e tij, tha se të gjallët i kanë borxh gjakut të dëshmorëve prandaj trojet nuk duhet të shiten.
Nga këtu apeloj dhe thërras të gjithë ata, të cilëve u janë rindërtuar shtëpitë që të vijnë në shtëpitë e tyre, sepse ky është trualli dhe atdheu ynë, ndërsa ata të cilët kanë shitur trojet e tyre, nuk kanë shitur troje, por kanë shitur atdhe
Me pas ai sqaroi edhe për simbolikën e shtëpive që ngjajnë me kullat tradicionale shqiptare, të cilat ishin projektuar nga vëllai i tij, Kadriu, i cili ishte vrarë në luftë. Janë 4 frëngji që simbolizojnë 4 vilajete, e ato 4 vilajete do ti fus në një plis dhe do të bëhet Shqipëri këtu.
Kadriu, me mjekër të bardhë, i cili njihet si skulptor, njoftoj se më 26 nëntor, në ora 14:00, në kullat e tyre do të hapet një ekspozitë në atelienë e piktorit të ndjerë.
Për rindërtimin e këtyre dy shtëpive Qeveria e Kosovës ka investuar 142 mijë euro, prej të cilave 18 mijë i ka dhënë donatori nga Amerika, Harri Bajraktari.
Të premten në Kroin e Vitakut është përuruar edhe një shtëpi tjetër, që është rindërtuar në kuadër të aksionit Ndihmo edhe ti.