08 Shtator 2024

Fabrika e Këpucëve “Solid”, dëshmi e suksesit

Suharekë, 14 prill -  Fabrika e Këpucëve “Solid” me seli në komunën e Suharekës, e hapur në vitin 1995, nga 25 punëtorë sa ka pasur, tani i ka 215.


Kjo fabrikë gjatë luftës në Kosovë ishte djegur tërësisht nga forcat serbe. Pas luftës familja Kuçi me forcat vetjake kishte arritur ta rifillonte një kapitull të ri të kësaj ndërmarrje dhe ta vazhdonte prodhimin e këpucëve “Solid”.

Që nga paslufta e deri më tani kjo fabrikë ka arritur t’i prodhojë mijëra modele të reja për tregun kosovar, rajonal, por edhe atë evropian. “Solid” ka prodhuar edhe për marka të ndryshme botërore, duke bërë që prodhimet “Made in Kosova” të paraqiten në tregje të ndryshme.

Deri më tani “Solid” i ka prodhuar mbi dy mijë modele të këpucëve

Ahmet Kuçi, pronar i kësaj fabrike, ka bërë me dije se “Solid” prodhon këpucë për disa institucione të Kosovës. “Ne jemi krenarë që kemi pasur mundësinë të prodhojmë këpucë për institucionet e Kosovës, sepse kemi ofruar cilësi dhe për këtë jemi vlerësuar”, ka thënë ai.

Shtetet në të cilat “Solid” ka eksportuar

Prodhimet e Fabrikës së Këpucëve “Solid” deri më tani janë eksportuar në disa vende të Ballkanit dhe të Evropës. Kuçi ka treguar se deri më tani kanë prodhuar për disa marka të ndryshme botore.

“Deri tani kemi prodhuar për tregun e brendshëm kosovar, për tregun në Shqipëri dhe për Itali e Finlandë. Po presim ta zgjerojmë gamën e prodhimeve tona dhe zgjerimin e eksporteve për shtetet e ndryshme të Evropës”, ka thënë ai. Sipas Kuçit, “Solid” nuk do të ndalet me prodhim, sepse është duke i gjurmuar tregjet e reja.

Fabrika e re për përpunimin e lëkurës

Pronari i “Solid”-it, Ahmet Kuçi, ka treguar se e kanë filluar ndërtimin e fabrikës së re, e cila do ta bëjë përpunimin e lëkurës së njomë.

“Ne i kemi filluar punët për ndërtimin e fabrikës së re. Deri më tani nuk kemi pasur mbështetje nga askush, por po punojmë vetëm me forcat tonë”, ka thënë ai.

Sipas tij, Kosova prodhon shumë lëndë të parë të lëkurës, por problem është se eksportohet shumë në vende të ndryshme. “Ne kemi filluar ta ndërtojmë fabrikën e re, e cila është në kuadër të zgjerimit të biznesit tonë. Kjo fabrikë do ta bëjë përpunimin e lëkurës dhe do ta prodhojë lëndën e parë, si për fabrikën tonë, po ashtu edhe për tregun e Kosovës”, ka theksuar ai.

Fondi i Punësimit, mundësi për punësime të reja

Paralajmërimi i kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçi, për krijimin e Fondit për Zhvillim dhe Punësim prej 1.5 miliard eurosh, është mirëpritur nga pronari i “Solid”-it.

Kryeministri Thaçi me rastin e vizitës në këtë fabrikë pati deklaruar:

“Qeveria e Kosovës është në prag të nxjerrjes së vendimit nga projekti apo fondi për investime e për punësim në vlerë prej një miliard eurosh, i cili do të ndahet për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme (NVM-të), për ato që kanë performancë të mirë, që kanë prodhim të qëndrueshëm, për ata që krijojnë më tepër vende të reja të punës si dhe për ata që i paguajnë mirë punëtorët. Kam besim se të gjitha ndërmarrjet e vogla dhe të mesme dhe biznesi kosovar në përgjithësi do ta shfrytëzojnë maksimalisht këtë fond për të mirën e biznesit, në shërbim të prodhimit, në shërbim të krijimit të vendeve të reja të punës, si dhe pagesës solide për punëtorët në bazë të standardit rajonal, mund të them edhe evropian”.

Kuçi është shprehur se pret që ky fond të shfrytëzohet në mënyrë më të mirë të mundshme nga bizneset kosovare. “Po presim të krijohet ky fond. Besoj se fondi do të jetë në zhvillim të ndërmarrjeve kosovare. Jemi për të rritur më shumë vendet e punës. Kompania jonë çdo vit është rritur dhe janë hapur vende të reja të punës në komunën tonë. Kjo është një dëshmi se bizneset vendore me cilësi mund ta zgjerojnë aktivitetin e tyre në Kosovë”, ka thënë ai.

Politikat fiskale, jo të favorshme

Kuçi ka vlerësuar se politikat fiskale të Kosovës karshi prodhimeve vendore nuk janë të favorshme. Sipas tij, duhet të ketë reformë të madhe fiskale.

“Deri më tani kemi pasur probleme me konkurrencën jolojale nga tregtarët e ndryshëm. Po ashtu, edhe tatimet janë të larta. Ne kërkojmë mbrojtje nga shteti në mënyrë që ne të kemi zhvillim më të madh dhe hapje të reja të vendeve të punës”, ka thënë ai. Një problem tjetër, sipas tij, është edhe ai i zhdoganimit të mallit në kufij, pasi malli zhdoganohet ende pa dalë në treg.

“Ne e kemi si mall për zhdoganim lëndën e parë. Ky është një problem që na krijon shumë probleme”, ka thënë ai.

Kamatat e larta nuk e zhvillojnë biznesin

Kamatat e larta të bankave kosovare kanë bërë që “Solid” mos ta shikojë mundësinë të marrë kredi. Pronari i “Solid”-it, Ahmet Kuçi, ka thënë se kreditë bankare nuk janë të favorshme.

“Ka banka që në vende nga vijnë japin kredi më të favorshme, kurse këtu i kanë shumë të larta. Kjo nuk është në rregull dhe nuk u bënë mirë as atyre bankave e as bizneseve”, ka deklaruar Kuçi.(Epoka e re).

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)