Turistët nga Kosova popullojnë plazhin e Shëngjinit
Shëngjin, 2 gusht - Në pikun e sezonit turistik të kësaj vere, plazhin e Shëngjinit e frekuentojnë më tepër pushues nga Kosova.
Ata shprehen të kënaqur për kushtet e krijuara nga bashkia e Lezhës dhe operatorët turistikë të bregdetit.
Rëra kurative, uji dhe mjedisi i pastër, rendi, qetësia publike, arti i të gatuarit dhe çmimet e favorshme janë arsyet që pushuesit nga Kosova zgjedhin këtë plazh.
Bashkia e Lezhës po tregon kujdes dhe vëmendje për gjithë bregdetin dhe zonat e tjera turistike, për të krijuar gjithë kushtet e nevojshme që pushuesit të kalojnë një sezon turistik të qetë e komod.
Shëngjini ndodhet 58 kilometra nga Tirana, ndërsa qyteti i Lezhës ndodhet vetëm 7 kilometra larg tij.
Plazhet e Shëngjinit janë të njohura për rërën e pastër dhe ujin e ngrohtë. Një nga plazhet që tërheq vëmendjen e pushuesve është ai i “Ranës së hedhun”, si dhe plazhet e Kunes dhe Tales.