Shqipëri, të ardhurat nga turizmi u rritën në 1.86 mld euro
Tiranë, 26 mars - Bilanci i të ardhurave nga turizmi shënoi tregues pozitivë edhe në fund të vitit 2018.
Turistët e huaj sollën 1.86 miliardë euro, afërsisht 9% më shumë krahasuar me vitin 2017, bëri të ditur INSTAT.
Vitin e kaluar në Shqipëri u regjistrua numri më i lartë i vizitorëve të huaj, i shënuar ndonjëherë. Sipas të dhënave zyrtare, Shqipëria u vizitua nga afro gjashtë milionë shtetas të huaj, shifër kjo 16% më e lartë se në të njëjtën periudhë një vit më parë.
INSTAT bën të ditur se, shpenzimet e shqiptarëve për udhëtime jashtë vazhduan të rriten edhe në tremujorin e katërt 2018. Ato arritën vlerën e 317 milionë eurove, në rritje vjetore me 10%.
Ndërsa për vitin 2018, shpenzimet e shqiptarëve jashtë vendit arritën në 1.43 miliardë euro në udhëtime jashtë, 13% më shumë krahasuar me vitin 2017.