Një milion vende pune humben çdo ditë në turizëm nga Koronavirusi
Paris, 25 mars - Sipas hulumtimit të kryer nga Këshilli Botëror i Udhëtimit dhe Turizmit (WTTC), rreth një milion vende pune janë duke u humbur çdo ditë në sektorin e udhëtimit dhe turizmit për shkak të përhapjes së koronavirusit në dy javët e fundit.
Nga WTTC thonë se deri në 75 milion vende pune janë në rrezik të menjëhershëm, që përbën një rritje prej 50 për qind nga hulumtimi i saj i mëparshëm.
Të dhënat thonë se për shkak të efektit gjithpërfshirës së pandemisë, këtë vit humbja nga udhëtimet dhe turizmi do të jetë 2,1 trilionë dollarë.
Këshilli gjithashtu zbuloi nivelin e krizës për rajonet individuale.
Rajoni i Azisë-Paqësorit pritet të ndikohet më së shumti me deri në 49 milionë vende punë në rrezik në të gjithë rajonin, që përbën një humbje prej rreth 800 miliardë dollarë.
Turizmi dhe sektori i udhëtimeve në Evropë parashikohet të humbasë 10 milionë vende pune, që përbën një humbje prej afro 552 miliardë dollarë.
Amerika Veriore dhe Jugore gjithashtu pritet të preken fort nga kjo krizë, ku SHBA, Kanada dhe Meksika pritet të humbin deri në 570 miliardë dollarë së bashku, me pothuajse 7 milionë vende pune në rrezik.
Drejtorja ekzekutive e WTTC-së, Gloria Guevara, fajëson qeveritë që nuk kanë arritur që të reagojnë në mënyrë të shpejtë për t'i ardhur në ndihmë këtij sektori.
"Nëse nuk ndërmerren veprime urgjente brenda disa ditëve në vijim, sektori përballet me 'shkrirje ekonomike' nga e cila do të luftojë të rikuperohet dhe do të zhysë në borxhe miliona njerëz të varur prej tij", tha ajo.
Guevara paralajmëroi që situata në sektorin e udhëtimeve dhe turizmit do të krijojë një "efekt domino" që rezulton në humbje masive të vendeve të punës në të gjithë zinxhirin e furnizimit.
"Ne u bëjmë thirrje të gjithë atyre që janë në pozita të pushtetit të ndihmojnë të pafuqishmit dhe të miratojnë politika për të mbështetur dhe mirëmbajtur një sektor i cili është një forcë lëvizëse e ekonomisë globale dhe përgjegjës për gjenerimin e një nga pesë vendet e reja të punës", shtoi ajo.
Në raport theksohet se Gjermania rrezikon të jetë vendi më i prekur në Evropë, me gati 1,6 milionë vende pune në rrezik, e ndjekur nga Rusia me rreth humbjen e rreth 1,1 milionë vendeve të mundshme të punës.
Udhëtimi dhe turizmi kontribuojnë në 10,4 përqind të PPV-së globale dhe është drejtpërdrejt përgjegjës për gjenerimin e 10 për qind prej vendeve të punës në botë, ndërsa për tetë vjet me radhë ka tejkaluar nivelin e rritjes së ekonomisë globale.