07 Dhjetor 2024

Nga viti 2023 Venecia do të vendosë tarifë të hyrjes në qytet për turistët

Venecia, 2 korrik - Duke filluar nga viti i ardhshëm, vizitorët në udhëtimet ditore do të duhet të paguajnë 10 euro për hyrje në qytetin italian Venecia, një nga mrekullitë e botës që prej kohësh është rënduar nga turizmi i tepruar.

Masa, e shpallur dje nga këshilli i qytetit Venecia, do të fillojë më 16 janar të vitit 2023.

Turistët që qëndrojnë gjatë natës, fëmijët nën 6-vjeç, pronarët e shtëpive të pushimit, njerëzit që qëndrojnë me vendasit, studentët, udhëtarët dhe disa kategori të tjera do të përjashtohen nga ky detyrim.

Simone Venturini, këshilltar i qytetit për turizmin, sistemin e ri e quajti “mënyrë të vetme” për të kontrolluar turizmin masiv.

“Është një hap i rëndësishëm, është një fazë kyçe dhe ne jemi të parët në botë që e bëjmë këtë”, tha Venturini.

Tarifat e hyrjes në Venecia do të ndryshojnë nga 3 deri në 10 euro, varësisht asaj sa është i ngarkuar qyteti. Këshilli i qytetit mbetet të vendosë për pragun e mbipopullimit që do të përcaktojnë çmimet që turistët duhet të paguajnë.

Venturini gjithashtu njoftoi rritje të çmimeve për transportin publik dhe atraksionet turistike. Nga 1 shtatori, një biletë për të traget ujor do të rritet nga 7,50 euro në 9,50 euro, ndërsa hyrja në muzetë e Shën Markut do të rritet nga 25 në 30 euro.

Ai këmbëngul se nuk bëhet fjalë për mbylljen e qytetit krejtësisht gjatë periudhave jashtëzakonisht të ngarkuara, respektivisht gjatë karnavaleve në muajin shkurt.

“Qyteti mbetet gjithmonë i hapur, por nëse arrijmë pragun, ju mund të vini përsëri nëse dëshironi, por do të paguani pak më shumë”, tha ai.

Rezervimi do të bëhet online dhe një ekip prej 15-20 inspektorësh do të patrullojnë rrugicat, urat dhe sheshet e qytetit për të kërkuar shkelësit, të cilët do të përballen me gjoba që ndryshojnë nga 50 deri në 300 euro.

Vendasit tashmë prej kohësh po përpiqen të dekurajojnë të ashtuquajturit “turistët në vrap” të cilët qëndrojnë në qytet vetëm disa orë. Këshilli fillimisht prezantoi planet për t’i detyruar ata të paguajnë për hyrje në qytetit në vitin 2019, por zbatimi i masave u vonua për shkak të pandemisë COVID-19.

Turizmi është industria kryesore e qytetit Venecia, por fluksi i vazhdueshëm i vizitorëve fajësohet se e bën qytetin gjithnjë e më të shtrenjtë dhe më pak mikpritës për banorët, një fakt që reflektohet në rënien e numrit të banorëve, aktualisht në 50 mijë krahasuar me rreth 76 mijë banorë 30 vite më parë.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)