Goditja e turizmit nga Pandemia i ka kushtuar ekonomisë globale 4 trilionë dollarë
Gjenevë, 1 korrik - Goditja e pandemisë ndaj turizmit ndërkombëtar i ka kushtuar ekonomisë globale më shumë se 4 trilionë dollarë në 2020 dhe 2021, u tha gjatë Konferencës së OKB-së për Tregtinë dhe Zhvillimin (UNCTAD).
Turizmi ndërkombëtar dhe sektorët e tij të lidhur ngushtë pësuan një humbje e cila vlerësohet në 2.4 trilionë dollarë në vitin 2020, thuhet në raportin e paraqitur bashkërisht me Organizatën Botërore të Turizmit të OKB-së (UNWTO).
Turizmi ndërkombëtar parashikohet të rikthehet në gjysmën e dytë të këtij viti, por raporti i UNCTAD tregon ende një humbje prej 1.7 deri në 2.4 trilionë dollarë në 2021 në krahasim me nivelet e vitit 2019.
Kriza në turizëm rriti nivelin e papunësisë të fuqisë punëtore të pakualifikuar me 5.5 për qind mesatarisht, me një diferencë të lartë prej 0 për qind në 15 për qind, varësisht nga rëndësia e turizmit për ekonominë, thuhet më tej.
Fuqia punëtore përbën rreth 30 për qind të shpenzimeve të shërbimeve turistike në ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim.
Duke treguar për një humbje të ngjashme këtë vit, raporti nënvizon se rimëkëmbja e turizmit do të varet kryesisht nga administrimi global i vaksinave kundër COVID-19.
Sekretarja e Përgjithshme e UNCTAD, Isabelle Durant theksoi rëndësinë e përpjekjes globale të vaksinimit për të mbrojtur punëtorët, për të zbutur efektet e pafavorshme sociale dhe për të marrë vendime strategjike në lidhje me turizmin, duke marrë parasysh ndryshimet e mundshme strukturore.
Sekretari i Përgjithshëm i UNWTO, Zurab Pololikashvili tha se avancimi i vaksinimit për të mbrojtur komunitetet dhe për të mbështetur rinisjen e sigurt të turizmit është thelbësore për rimëkëmbjen e vendeve të punës dhe gjenerimin e burimeve shumë të nevojshme.
Ndërsa normat e vaksinimit kundër COVID-19 ndryshojnë në mes shteteve, humbjet e turizmit janë zvogëluar në shumicën e vendeve të zhvilluara por përkeqësohen në vendet në zhvillim, të cilat mund të përbëjnë deri në 60 për qind të humbjeve globale të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) vuri në dukje raporti.
Në raport thuhet se vendet me nivele të larta vaksinimi, të tilla si Franca, Gjermania, Zvicra, Britania e Madhe dhe SHBA-ja do të rikuperohen më shpejt në sektorin e turizmit.
Megjithatë, ekspertët nuk presin një kthim në nivelet turistike ndërkombëtare para-pandemike deri në 2023 ose më vonë për shkak të kufizimeve të udhëtimit, mposhtjes së ngadaltë të virusit, besimit të ulët të udhëtarëve dhe një ambienti të dobët ekonomik, tha UNWTO-s.