10 Dhjetor 2024

Gjykata dënon ndërtuesin por nuk urdhëron rrënimin e hotelit pa leje në Rugovë

Pejë, 24 qershor - Organizatat e shoqërisë civile kanë draftuar një reagim publik kundër standardit të krijuar nga Gjykata e Pejës për rrënimin e ndërtimeve pa leje në zonën e mbrojtur të Bjeshkëve të Nemuna, zonë e mbrojtur me ligj.

Në zonën e mbrojtur të Bjeshkëve të Nemuna, biznesmeni Mahir Shala ka ndërtuar një hotel pesëkatësh i cili në tërësinë e tij nuk ka asnjë leje apo pëlqim mjedisor.
 
Më 17 qershor, Gjykata e Pejës e dënoi me vetëm 2,500 euro gjobë pronarin e kompanisë “INTERN INVESTMENT GROUP” dhe injoroi plotësisht obligimin ligjor dhe kërkesën e prokurorisë që të rrënohen ndërtimet ilegale në zonat e mbrojtura.

Duke e parë këtë situatë, përmes këtij reagimi publik, shoqatat kërkojnë menjëherë nga Gjykata e Apelit që ta përmirësojë këtë standard të krijuar nga Gjykata e Pejës ndërsa nga Gjykata Supreme nxjerrjen e një qëndrimi juridik lidhur me këtë situatë.

Parku Nacional i Bjeshkëve të Nemuna është i mbrojtur me ligj të shpallur nga Kuvendi i Republikës së Kosovës.

Në këtë zonë për vite janë ndërtuar objekte në kundërshtim me ligjin, përfshirë këtu edhe hotelin disakatësh me pronar Mahir Shalën.

Për fat të keq, institucionet e vendit përveç se nuk po arrijnë të ndalin ndërtimin, nuk po arrijnë as t’i implementojnë obligimet ligjore për rrënimin e tyre.

Organizatat e Shoqërisë Civile e kanë mirëpritur ngritjen e aktakuzës nga ana e Prokurorisë së Pejës dhe propozimin e fundit që krahas dënimit të urdhërohet edhe rrënimi i hotelit pasi kështu kërkohet me nenin 359 të Kodin Penal të Kosovës.

Sipas Kodit Penal, Gjykata duhet të vendosë për rrënimin e objekteve në zonat e mbrojtura në momentin kur është konstatuar se ato kanë ndodhur.

Gjykata e Pejës e ka pasur të pakontestuar faktin se ndërtimi është pa leje për faktin se edhe pronari e ka pranuar këtë para gjykatës.

Duke injoruar obligimin ligjor të paraparë me nenin 359, Gjykata e Pejës ka vendosur që vetëm ta dënojë me gjobë të akuzuarin ndërsa ka refuzuar rrënimin e hotelit.

Për organizatat e shoqërisë civile, vendosja e një precedenti të tillë ku ndërtuesit ilegalë dënohen me gjoba dhe objektet e tyre nuk rrënohen paraqet një precedent të rrezikshëm për të gjitha ndërtimet e tjera në këtë zonë dhe paraqet një shmangie prej obligimit ligjor të cilin e parasheh Kodi Penal i Kosovës.

Duke e parë këtë situatë, OJQ-të kërkojnë menjëherë nga Gjykata e Apelit që ta përmirësojë këtë standard të krijuar nga Gjykata e Pejës ndërsa nga Gjykata Supreme nxjerrjen e një qëndrimi juridik lidhur me këtë situatë.

OJQ-të e inkurajojnë Prokurorinë e Pejës që të kërkojë që edhe ndërtime të tjera ilegale të kryera në këtë zonë të trajtohen njëjtë dhe me prioritet maksimal.

Njëkohësisht ju vëmë në dijeni se vendimi i gjykatës së Pejës për të mos lejuar monitorimin e këtij procesi me arsyetimin se jemi në kohën e pandemisë është vendim i pajustifikueshëm për shkak se gjykatat tashmë i kanë lehtësuar masat mbrojtëse si dhe cenon parimin e publicitetit dhe transparencës në sistemin e drejtësisë.

Organizatat e shoqërisë civile i rikujtojnë sistemit të drejtësisë se parimi i publicitetit është njëri nga parimet themelore të sistemit të drejtësisë dhe si rrjedhojë edhe gjatë kohës së pandemisë duhet të sigurohet qasje për publikun në procese të një rëndësie kaq të madhe.

Reagimi është mbështetur nga:
BIRN Kosova
Internws Kosova
ÇOHU!
D+
EC Ma Ndryshe
Environmentally Resposible Action (ERA) Group
European Centre for Minorty Issues Kosovo (ECMI)
Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF)
Forumi për Iniciativa Qytetare (FIQ)
GAIA Kosovo
Green Energy Kosova (GEK)
Group for Legal and Political Studies (GLPS)
Lëvizja FOL
Instituti Demokratik i Kosovës (KDI)
Kosovar Civil Society Foundation for Sustainable Development (KOSID)
Let’s Do It Kosova
Open Data Kosovo (ODK)
Pishtarët
Rrjeti i Grave të Kosovës (KWN)
Syri i Vizionit
TOKA
TV Mreža
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)