Torres edhe zyrtarisht lojtar i Barcelonës
Barcelonë, 28 dhetor - Ferran Torres është lojtar i Barcelonës edhe zyrtarisht. Njoftimin e ka dhënë vetë klubi, që i jep kështu trajnerit Xavi një përforcim cilësor në sulm, që ka qenë edhe reparti më i dobët i katalanasve deri më tani këtë sezon.
“Barcelona ka arritur marrëveshjen me Manchester City për transferimin e Ferran Torres”, thuhet në deklaratën e spanjollëve.
Kontrata është pesë vjeçare dhe skadon më 30 qershor të 2027-s, ndërsa klauzola e prishjes së saj është vendosur 1 miliard euro.
Torres do të prezantohet para tifozëve më 3 janar në një konferencë për shtyp. Transferta i ka kushtuar Barcelonës 55 milionë euro.