Biatloni pezullon Rusinë dhe Bjellorusinë si anëtare të federatës
Strasburg, 29 mars - Pasi shumica e sporteve olimpike ndaluan atletët dhe ekipet nga Rusia dhe Bjellorusia, biatloni iu bashkua listës së izolimit duke pezulluar federatat e tyre nga anëtarësimi.
Rusia dhe Bjellorusia “kanë shkelur detyrimet humanitare si federata anëtare”, thuhet në deklaratën e Unionit Ndërkombëtar të Biatlonit (IBU).
IBU gjithashtu potencoi se pushtimi ushtarak rus "ka ndërprerë aktivitetet e Federatës së Biatlonit të Ukrainës" kështu që do të ishte e padrejtë që "vendet sulmuese" të gëzonin të drejtat e anëtarësimit ndërsa biatloni në Ukrainë ndërpritet.
Rusia ka ruajtur anëtarësimin aktiv në shumicën e organeve drejtuese të sportit, përfshirë atë të futbollit në FIFA, e cila ka kongresin e saj vjetor të enjten në Doha të Katarit.
Mbetet e paqartë nëse zyrtarët rusë të futbollit do të shfrytëzojnë të drejtat e tyre për të marrë pjesë dhe për të folur para kongresit me më shumë se 200 anëtarë.
Bordi ekzekutiv i IBU-së vendosi të pezullojë anëtarët e saj rusë dhe bjellorusë një javë pas përfundimit të sezonit të Kupës së Botës.
Vendimet, të cilat mund të apelohen në Gjykatën e Arbitrazhit Sportiv, do të rishikohen "në rast të ndryshimit të rrethanave" në Ukrainë dhe në kongresin e IBU-së në shtator, tha organi drejtues.