Presidentja Osmani dekoroi me Medaljen Presidenciale policët në veri
Mitrovicë, 31 dhjetor - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, e shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla, ka vizituar sot kampin “Belvedere” në Mitrovicë, stacionin policor në Jasenovik, pikën kufitare në Bërnjak dhe bazën policore.
Gjatë vizitës në pikën kufitare në Bërnjak si dhe në bazat policore në Jasenovik e Bërnjak, ajo ka falënderuar policët e angazhuar në veri të vendit për kontributin për siguri të të gjithë qytetarëve, pa dallim, si dhe për mbrojtje të sovranitetit të vendit.
Me propozim të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Policisë së Kosovës, Presidentja Osmani në prezencë edhe të u.d. të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, Fehmi Hoti ka dekoruar me Medaljen Presidenciale për Siguri, Njësinë e Ndërhyrjes së Shpejtë të Policisë së Kosovës dhe tetë zyrtarë policorë nga njësi të ndryshme të angazhuar në veri të vendit, duke i falënderuar për profesionalizmin, nderin, përkushtimin dhe guximin në shërbim të atdheut, në funksion të mbrojtjes së rendit, ligjit dhe sigurisë publike.
Njësitë e tjera të specializuara, si dhe zyrtarët e tjerë policor do të dekorohen në përvjetorin e 15-të të Pavarësisë së Kosovës.
Sipas Presidentes Osmani, dekorimi është mirënjohje ndaj angazhimit të pareshtur të tyre për ta siguruar një mjedis të qetë e të sigurt për të gjithë qytetarët e Kosovës pa dalim etnie.
Duke ju uruar vitin 2023, Presidentja Osmani ka theksuar se gra e burra të policisë së Kosovës janë shembull i përkushtimit dhe devotshmërisë ndaj shtetit. Sipas saj, përpjekja për sundimin e ligjit nuk duhet pushojë asnjëherë dhe se duhet të jetë synim i çdoditshëm në ofrimin i sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.