Nis heqja e barrikadave në veri
Mitrovicë, 29 dhjetor - Grupe kriminale serbe në veri të Kosovës kanë nisur heqjen e barrikadave, duke liruar rrugët e bllokuara.
Mësohet se fillimisht është hapur pika kufitare në Merdare, teksa pritet heqja e bllokadave dhe në pikat e tjera ku ato ishin ngritur.
Lajmi për largimin e barrikadave u bë i ditur mbrëmjen e djeshme, pasi presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, takoi përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.
Vuçiç, pas takimit me përfaqësuesit e serbëve nga Kosova, tha se heqja e barrikadave në veri të Kosovës do të nisë mëngjesin e së enjtes.
“Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat”, tha ai.
Pas takimit, Vuçiç lexoi konkluzionin e përfaqësuesve të serbëve nga veriu i Kosovës, lidhur me heqjen e barrikadave.
“Besimi i serbëve në institucionet diskriminuese të Prishtinës nuk ekziston, dhe është i pamundur të arrihet”, thuhej në konkluzionin e lexuar nga Vuçiç.
“Ne nuk kemi besim te kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe nuk mund të kemi. Nëse vazhdojnë arrestimet dhe terrori kundër popullit serb, do ta mbyllim përgjithmonë veriun e Kosovës për institucionet diskriminuese të Prishtinës. Pastaj, do të vendosim barrikada që nuk do të hiqen kurrë dhe që për Prishtinën ato do të jenë një kufi që nuk do të kalohet kurrë”, u tha në deklaratën që e lexoi Vuçiç.
Vuçiq tha se në këtë deklaratë kërkohet nga ai “të mos ketë njohje të pavarësisë së Kosovës, në asnjë formë, sepse është territor i Serbisë”.
I pyetur nga gazetarët për kthimin e serbëve nga veriu në institucionet e Kosovës, Vuçiq u përgjigj se “heqja e barrikadave nuk ka të bëjë me këtë çështje”. “Kthimi në institucione kushtëzohet me Marrëveshjen e Brukselit, e cila flet për formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, tha ai.
Disa kamionë me të cilët ishte bllokuar rruga në lokacionin e njohur si Shkëmbi i Dudës në Mitrovicë të Veriut janë djegur gjatë natës.
Djegia e këtyre kamionëve ndodh pikërisht në ditën kur pas 20 ditësh bllokimi pritet që të largohen barrikadat nga rrugët e katër komunave veriore Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Zubin Potok dhe Leposaviq.