Presidentja Osmani pranoi letrat kredenciale nga ambasadori i ri i Republikës Çeke
Prishtinë, 13 tetor - Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani priti sot në takim ambasadorin e ri të Republikës Çeke, z.Bohumil Mazánek, me rastin e dorëzimit të letrave kredenciale.
Presidentja Osmani e uroi ambasadorin për detyrën, ndërkaq ambasadori Mazánek, shtoi se nga ana e tij do të ketë edhe angazhim më të madh pas vendimit të Presidentit Çek , Petr Pavel për ngritjen e raporteve diplomatike në nivel të ambasadorëve.
Në këtë takim, të dy palët theksuan raportet shumë të mira mes dy shteteve tona dhe thellimin e mëtejmë të raporteve tona, me fokus të veçantë në bashkëpunimin ekonomik dhe fusha të tjera të interesit të përbashkët.
Presidentja Osmani e falënderoi për kontributin e dhënë nga Republika Çeke lidhur me liberalizimin e vizave si dhe e njoftoi nga afër ambasadorin lidhur me situatën e sigurisë në Kosovë pas aktit të agresionit të kryer në Kosovë nga ana e Serbisë.