26 Dhjetor 2024

Vallja e njerëzve pa kurriz, me shpirt robi e shpirt servili

Shkruar nga Gani Bajrami

Duke lexuar disa shkrime në rrjetet sociale dhe në portale, si dhe duke dëgjuar edhe shumë deklarata në mediat elektronike, përfshirë këtu edhe disa të ashtuquajtura debate, por edhe disa deputet në Kuvendin e Kosovës, po më imponohet përshtypja,  hiq e mirë, se edhe dy dekada pas çlirimit, një numër jo i vogël njerëzish që e konsiderojnë veten intelektualë kanë mbetur me shpirt robi, me shpirt vasali e me shpirt servili, thënë shkurt njerëz pa kurriz, me shpirt të të pafuqishmit për të qenë vetvetja, për ta pasur unin e vet individual e kombëtar.

Ndryshe nuk do të ndodhte, si  në orgji, t’i vërsulën akëcilit udhëheqës që guxon të dalë jashtë atij stereotipi të grupimit ku bëjnë pjesë këta njerëz me shpirt robi, me shpirt vasali e me shpirt servili. Pjesëtarë të këtij grupimi çdo ditë dhe pa ndërprerë përhapin defetizëm me paragjykimet e tyre të sëmura, nuk po them tradhtare, sepse nocionet tradhti e patriotizëm i kemi devalvuar skajshëm.

Brenda atij grupimi nëngrupi më i zëshëm është ai  që trumbeton se Serbisë duhet dhënë diçka për të arritur atë marrëveshjen e famshme me njohje reciproke që synohet në kuadër të dialogut që ka filluar më shumë se një dekadë.

Nëngrupi i dytë faktorin vendor e sheh fare të parëndësishëm në dialog dhe vazhdimisht trumbeton se duhet “dëgjuar faktorin ndërkombëtar” pavarësisht interesit tonë kombëtar e shtetëror. Nëngrupin e tretë e përbëjnë ata që çdo veprim e sukses  të udhëheqjes tonë shtetërore mundohen ta përbaltin, duke “shitur mend” se do të duhej vepruar “kështu apo ashtu”.  

Edhe pse jam pensionuar me mbi 40 vjet punë në gazetari, unë nuk mbaj mend që lidershipi i Kosovës të jetë gjendur sikur tani para një sulmi tejet të vrazhdë nga Beogradi dhe po aq edhe nga vetë shqiptarët të përqendruar rreth një boshti opozitë dhe media, ku valles i prijnë pikërisht njerëzit e grupimit që e përmenda më lart.

A nuk flet ky fakt mjaftueshëm se gjatë këtyre dy dekadave me veprimin apo mosveprimin tonë lejuam që me njerëz që kanë shpirt robi, shpirt vasali e shpirt servili, pra me njerëz pa kurriz, të krijohet një klasë jo vetëm politike e mediatike, e kalbur, e nënshtruar, servile deri në neveri, por përherë e gatshme për të zhvilluar "gjuetinë e shtrigave".

Nuk kam preferuar asnjëherë t’i bëjë elozhe asnjë pushteti, por as ta shajë vetëm pse nuk më pëlqen mua, prandaj mos ta merr dikush shkrimin tim se po e mbrojë pushtetin e tanishëm, sepse ai nuk ka nevojë fare që unë ta mbrojë, siç nuk kam as unë asnjë dobi nëse e mbroj apo nuk e mbroj.

Një fakt që po më pëlqen te lidershipi i Kosovës është ai se nuk po bie në rrjetën e grupimit të përmendur, që kohën e çmuar ta shpenzojë duke u marrë me arsyetime e demante ndaj akuzave perfide, intrigave, insinuatave, trillimeve e gënjeshtrave të përditshme që këta shpirtshitur i lansojnë.

Pavarësisht faktit se unë nuk i përkas asnjë blloku politik, nuk mund të pajtohem me sulmet aq të vrazhda kundër lidershipit aktual të Kosovës, Vjosës dhe Albinit, sepse tërthorazi këto sulme janë edhe kundër Kosovës dhe shtetësisë së saj. Pse duhet të kritikohet dhe të ofendohet me gjuhë rrugaçërie kryeministri pse nuk pranoi të shkoi në bisedime me Serbinë si vasalë, por si i barabartë me liderin serb në dialog. Kush dhe përse po e anashkalon faktin se të qenit i barabartë në dialog është hapi i parë i suksesit?

Sot për sot unë mendoj se pavarësisht kritikave të shumta, politikat e kryeministrit Kurti janë të guximshme dhe janë në interes të përparimit kombëtar të Kosovës, jo vetëm sa i përket dialogut me Serbinë, sepse ai nuk u ka lënë vend shantazhit e inferioritetit të deritashëm, por as servilizmit dhe dëgjueshmërisë symbyllur të “miqve ndërkombëtarë” .

Kam përshtypjen se Vjosa dhe Albini po vazhdojnë punën e vet si burrështetas duke i injoruar plotësisht këta kundërshtarë dhe duke dërguar mesazh sinjali te secili qytetar se kanë punë më të mençura sesa të merren me matrapazët që si analistë politik, themelues e moderatorë të portaleve e televizioneve, zyrtarë të partive opozitare dhe pse jo edhe si deputetë (jo të gjithë) të këtyre partive, e kanë shitur kaherë shpirtin dhe vetëm presin kush po paguan më shumë që ata të vjellin nga goja e tyre atë që kërkon padroni pa pardon ndaj çdo figure apo organizmi  shtetëror.

Mirëpo, diçka që nuk po e përthekoj dot në këtë rradaken time është ajo se si u bë që një dyzinë gazetarësh e analistësh, shumica të vetëshpallur, të kenë detyrë të parë të mbjellin dyshim në opinion për një lidership të Kosovës që në skenën politike të Kosovës erdhi me mbi 51 për qind të votave. Pse qytetarit të rëndomtë duhet t’i shkojë mendja se nuk ka ndonjë punë tjetër përveç me u marrë me kryeministrin Albin Kurti dhe presidenten Vjosa Osmani?!

A thua kjo kastë gazetarësh është kaq e padijshme sa mikrofonin t’ia ofrojë secilit injorant e kundërshtar të shtetit të Kosovës, apo padronet e tyre po e kërkojnë këtë nga ata?! Sido që të jetë një pjesë e tyre që për nga mosha janë të rinj më dhimbsen që kanë rënë në atë rrjet dhe nesër jo vetëm historia, por edhe fëmijët e tyre do t’i gjykojnë.

Për mua nuk ka gjë më tragjike sesa kur sheh të tillët që për çdo ditë e çdo natë fare pa dinjitet shpërfaqin qëndrimin e tyre të tejdukshëm pakurrizor.

Në fund të këtij shkrimi më duhet të them edhe pak fjalë për opozitën që nuk e ka vendin të rreshtohet me pakurrizorët, siç janë kasta e  njerëzve me shpirt robi, shpirt vasali e shpirt servili.

Në shtetet me demokraci të zhvilluar opozita është një mekanizëm shumë i rëndësishëm dhe ajo “sulmon” pozitën me ide e programe, ndërsa te ne opozita është shndërruar në një paçavure pa vlerë që merret kryesisht me insinuata e intriga, shpifje e trillime, gënjeshtra e sharje banale.

Opozita duhet të kthjellet, t’i lë inatet me një anë dhe t’i përvishet opozitarizmit të mirëfilltë duke u distancuar nga matrapazët që na paraqiten si analistë politik dhe moderatorë të portaleve e televizioneve të ndryshme.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)