07 Dhjetor 2024

Puna e regjistrimit të popullsisë në Maqedoninë e Veriut: As mish as peshk

Shkruar nga Arbër Çeliku

Tashmë na kanë përgatitur (sistematikisht) që proceset shoqërore t'i shohim në formë të dyzuar: një reale dhe një politike.

Kjo e fundit shërben si xhokeri në lojën me letra, kur lojtari fatlum (por edhe i shkathët) që e zotëron atë, përfiton në tavolinën e kumarit.

Në RMV gjithçka rezulton të jetë e dyzuar: historia, shoqëria, shpirti, ndjenjat, madje edhe Kushtetuta.

I vetmi vend në botë jemi, që kemi dy kushtetuta: njëra juridike dhe tjetra politike.

Kushtetuta juridike e njeh vetëm shtetin unitar, kurse ajo politike e njeh edhe shtetin qytetar, kushtetuta juridike e njeh vetëm maqedonishten si gjuhë zyrtare në mbarë shtrirjen territoriale të shtetit dhe në komunikim ndërkombëtar, kurse ajo politike e njeh edhe shqipen, kushtetuta juridike shqiptarët i quan komuniteti 20%, ajo politike popull me të drejta të barabarta, dhe kështu me radhë.

E njëjta ndodhi edhe me regjistrimin e popullsisë shqiptare: 24.3% rezidentë dhe 29.5 jorezidentë, pra një dyzim (juridik dhe politik), që varësisht nga nevoja, mbi tavolinën e kumarit të shfrytëzohet herë xhokeri juridik dhe herë ai politik.

E vërteta është se regjistrimi i popullsisë shqiptare (siç dhe e kam paralajmëruar në shkrimet e mia para 1 viti, kur po zhvillohej procesi i regjistrimit) është i manipuluar dhe i fabrikuar, për qëllime të pastra politike dhe nuk korrespondon aspak me realitetin etnik dhe fetar në Maqedoninë e Veriut. Si rrjedhojë, ftillohet dyshimi i bazuar, i përmbledhur në pikat më poshtë:

1. Manipulimi ndodh në binomin antonimik: rezident vs. jorezident, duke i desemantizuar politikisht këto leksema.

Një person, i cili është lindur, ka shtëpi, varre, pronë, familje, farefis dhe, e potencoj, SHTETËSI, kurrë nuk mund të jetë jorezident në vendlindjen e vet.

Për më tepër, në epokën e globalizimit dhe tregut të lirë të punës, është më se e natyrshme të lëvizësh nga një shtet në një tjetër për një vend më të mirë pune, për kualifikim apo kushte më të mira jetese, por kjo nuk nënkupton që të mos jesh rezident në tokën tënde, sepse shtetësia është e paprivueshme, dhe gjithë ata shqiptarë, që sot jetojnë në mërgim, janë shtetas të Maqedonisë së Veriut.

Të paktë janë ata, që kanë hequr dorë nga shtetësia, dhe këta bëhen defacto JOREZIDENTË.

Mërgata shqiptare nuk është shpërngulur nga vendi i vet dhe tashmë është ngulitur në një vend tjetër.

Prandaj, politika me këtë rast, përmes ligjeve të sjellura me paramendim paraprakisht, personat me qëndrim në një vend të huaj, me automatizëm i trajton si të shpërngulur, pra si persona që kanë hequr dorë nga vendlindja e tyre dhe shtetësia e RMV-së.

2. Shtrohet pyetja: Si është e mundur që në kohën e komunizmit, sistemit më represiv ndaj shqiptarëve në tërësi, Shkupi me rrethinë të ketë qenë qyteti më me shumë shqiptarë, edhe para Tiranës dhe Prishtinës (në vitet 80-ta të shekullit të kaluar), me rreth 500 mijë shqiptarë?!

A thua pas 4 dekadash është rrudhur aq shumë numri i shqiptarëve në Shkup, kur dihet që lindjet nuk kanë qenë edhe aq të pakëta dhe shpërngulja ka qenë në nivelin zero?!

Po rajoni i Pollogut që ka mbi 200 mijë shqiptarë, ku mbetën shqiptarët e Kumanovës dhe zonës së Karadakut, shqiptarët e Kërçovës e Dibrës, Strugës e Ohrit, Prilepit, Manastirit dhe Velesit?!

3. Pavarësisht se 3 herë radhazi për këto 2 vjet (ngaqë e kam parandjerë manipulimin dhe fabrikimin e sotëm), i kam bërë thirrje publike BFI-së t'i hapë regjistrat e hoxhallëkut (siç e quajmë ne pagesën e tarifës vjetore fetare) dhe, si institucioni më relevant statistikor sa i përket numrit të shqiptarëve në RMV (ngaqë BFI-ja me filialet e saj në çdo qytet e katund për mbi 1 shekull mban evidencë për pagesën dhe mospagesën e hoxhallëkut të çdo shqiptari qoftë i rritur apo i mitur) të tregojë numrin e vërtetë të shqiptarëve në RMV, përkundrazi, ky institucion kaq i rëndësishëm i yni (që financohet nga çdo njëri prej nesh dhe nuk merr asnjë qindarkë nga shteti), kurrë nuk denjoi të dalë publikisht dhe ta bëjë një akt të tillë kombëtar.

Epo, ja tani e ka mundësinë, ngaqë edhe numri i myslimanëve në RMV po manipulohet dhe fabrikohet.

Nga rreth 1 milion e 200 mijë sa jemi në të vërtetë (dhe këtë e ka saktë BFI-ja në defterët e saj), sot rezultuam të jemi tkurrur në pak më shumë se 600 mijë, pra për 4 dekada të jemi përgjysmuar.

5. Me regjistrimin e vitit 2022 u konfirmua edhe një herë, se asgjë nuk ka ndryshuar nga e kaluara, por që u konfirmua rishtas aparteidi etnik dhe ai fetar, gjë që sinjalizon se e ardhmja do të jetë edhe më e pasigurtë, më e brishtë dhe më e komplikuar.

6. Dhe, manipulimi bëhet edhe më i madh, kur regjistrimi i shqiptarëve po glorifikohet si e arritura e radhës, qershia mbi tortë në mozaikun e pafund të trofeve kombëtare këto 3 dekada demokraci.

As mish as peshk, ndryshe s'di si t'ia vë emrin gjithë kësaj gjëme unë...

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)