Një “Luftë Kombëtare” kundër varfërisë!
Shkruar nga Altin N. Ademi
Çfarë duhet të besojë dhe mirëkuptojë një “i djathtë” përballë një situate çfarë aktualisht po rëndon jetën sociale të qytetarëve të Kosovës?.
Është fakt i njohur se qytetarët e Kosovës po përballën me një kosto të lartë jetese, e cila po rëndohet e po bëhet e papërballueshme për çdo ditë e më tepër.
Ndërsa këtij trendi të rritjes së kostos, fatkeqësisht nuk është duke iu përgjigjur progresi inkremental në të hyra, qasje në financa apo në punë dhe shpërblim adekuat për punën.
Nuk është duke i korresponduar as iniciativa ekonomike, as ndërmarrësia dhe as vlerat përcjellëse të saj.
Në një situatë të tillë kur dallimi social në mes atyre që kanë dhe atyre që s’kanë mundësi për të pasur është i madh, nxë vend një lloj stagnimi, i cili nëse vazhdon në këto ritme do ta ketë për epilog një “gjendje ekonomike stall” dhe një varfëri të garantuar për një pjesë të konsiderueshme të qytetarëve.
Ata që kanë eksperiencë me aeronautikë, e kuptojnë më së miri se ç’do të thotë një gjendje e tillë.
I djathtë them, por nuk dëgjon shpesh të djathtit që flasin për varfërinë. Mund t’i dëgjosh ata të flasin për varfërinë vetëm kur e sulmojnë atë, duke e parë si rezultat i mos angazhimit por jo edhe si gjendje që imponon reflektim për ta sanuar.
Megjithatë, në mënyrën time të të kuptuarit, problemet si varfëria dhe shkaqet e rënies sociale, nuk duhet parë me dioptrinë ideologjike. Ato duhet parë si gjendje që kanë shkaqe konkrete, të cilat shkaqe duhet t’i trajtojmë për t’i hequr nga mesi ynë.
Secili e dimë se Kosova nuk ka pasur kurrë më parë kapital më të madh se që ka sot. Por shkalla e uljes së varfërisë, nuk i është përgjigjur siç do të duhej, shkallës së rritjes së kapitalit.
Rrjedhimisht, një hendek i madh ekziston në mes të ardhurave familjare e personale në shkallë të gjerë.
Një hendek edhe më i madh ekziston në mes të ardhurave të familjeve e individëve që jetojnë në hapësira të ndryshme gjeografike i.e fshat-qytet.
Dhe pa asnjë dyshim, krye hendeku më i madh ekziston mes “kastës kleptokrate politike” që flirtojnë me biznesin, në raport me “kastën e klasës punëtore” që flirton me mbijetesën.
Ky hendek ka prodhuar një “gjendje varfërie” që mban peng çlirimin e kushteve për zhvillim individual e social, për afër 25 % të popullsisë së Kosovës apo afër 450 mijë banorë në Republikën tonë, jo edhe aq e madhe për të toleruar një diskrepancë të tillë në mesin e vet. Rrjedhimisht, varfëria nuk është vetëm “gjendja konkrete” e mungesës së kushteve për çlirim ekonomik e social.
Ajo është edhe “ngjarje” që nxitë e vazhdon të nxisë shtrirjen e kësaj gjendje, në shumë dimensione të tjera që drejtpërdrejtë ndikojnë në cilësinë e jetës së qytetarëve të Kosovës.
Një gjendje e tillë pamundëson shkollim adekuat, pamundëson shërbime shëndetësore adekuate, si dhe pamundëson perspektivë sociale, socio-politike e ekonomike.
Varfëria kësisoj, nuk është e keqe vetëm si gjendje, por ajo është e keqe sepse nxitë shumë të këqija të tjera varëse.
Kemi hyrë në dekadën e dytë të shtetit tonë të pavarur dhe përkundër ndryshimeve e modeleve të ndryshme të qeverisjes, varfëria si “gjendje” që prodhon varfërinë si “ngjarje” është anashkaluar në mënyrë sistematike.
Përgjigja e vetme e shtetit si sferë dhe qeverisjes si instrument, ka qenë shpërndarja e skemave sociale në adresë të luftës kundër varfërisë, pa një vullnet për të frenuar efektet direkte të saj.
Prandaj, çdo përpjekje e shtetit si sferë dhe qeverisjes si instrument për ta luftuar varfërinë përmes modelit aktual, i ngjason një “dorëzimi të lirë” që i zgjatë jetën asaj në mënyrë të vetëdijshme.
Në këto rrethana, një qeverisje e përgjegjshme nuk do të duhej të mendojë edhe më tutje për skemat sociale si përgjigje e vetme kundër varfërisë. Do të duhej të mendonte për një “luftë kombëtare” kundër saj.
Se si do të mund të dukej një politikë e tillë, varet çka konsiderohet varfëri dhe çka konsiderohet luftë ndaj saj. Por nëse ka një formulë të përafërt, ajo do të ishte kriteri i indeksit të progresit social.
Ky kriter matës përfshinë në mes tjerash: të ushqyerit dhe kujdesi shëndetësor; qasja në ujë dhe sanitari; qasja në strehim; siguria personale; qasja në arsim, komunikim dhe informata; kushtet e përshtatshme ambientale; si dhe të drejtat dhe liritë personale, përfshirë barazinë e kushteve për konkurrencë të drejtë ekonomike.
Llogaritet se pa këto parakushte, individi dhe familja nuk mund të kalojnë në një stad tjetër të zhvillimit, autonomisë financiare, ndërmarrësisë dhe pavarësisë ekonomike.
Prandaj për ta nxjerrë një individ apo familje nga spiralja e varfërisë dhe rrethanave rënduese të saj, trajtimi i këtyre faktorëve është i domosdoshëm.
Fatkeqësisht në Kosovë, nuk ka një politikë shtetërore dhe as program shtetëror që merr për bazë dhe synon zbatimin e tyre në përditshmëri.
Kur qeveritë flasin për zhvillimin ekonomik, ato kryesisht kanë në mendje “Excel Sheets” dhe bilancet tregtare, pa një vetëdije shoqëruese reale se çka përfshijnë ata numra e ato shifra.
Dogana dhe ATK-ja flasin për të hyra, por këto të hyra nuk dëftojnë fuqinë blerëse të shumicës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës.
Është krejt e lehtë të konstatosh se ekonomia po ecën mirë përderisa ka qarkullim të rregullt tregtar por kësaj duhet t’i shtrohet pyetja se sa për qind e qytetarëve kanë qasje të rregullt në financa, për të përballuar koston e këtij fluksi mallrash.
Fundja, ai që ka blen dhe madje mund të blejë më shumë se 1,000 qytetarë të tjerë marrë së bashku.
Por pyetja është se çfarë mund të blejnë këta 1,000 qytetarët e tjerë? Dhe mbi të gjitha, me “çka” mund të blejnë, kur pagat që marrin kanë shproporcion të plotë me koston, përderisa qasja në financa jashtë pagave, vazhdon të jetë tepër e kufizuar.
Problemi rritet kur na bëhet e qartë se iniciativa private ekonomike individuale është e shkelur brutalisht nga sektori i mirë organizuar i atyre që shkelin konkurrencën nga “hirësia e ligjit”, duke mos harruar se 25% e popullsisë aktive, nuk është as në punë e as në aktivitet ekonomik, për shkak se ka varur shpresat tek skema sociale si “blerje kohe” përderisa shteti “vetëkënaqet” që ka mundësi për t’ua ofruar ato skema.
Është e pakuptimtë dhe e pamundur të besosh se fëmijët e atyre që përfitojnë skema sociale, do të kenë nxitjen e mirëfilltë për t’u bërë autonomë, përderisa varfëria i mbanë peng jashtë edukimit adekuat dhe shanseve që vijnë me të.
Është e pakuptimtë të besosh se një familje që nuk ka arritur të sigurojë strehim themelor, as garanci për ushqim për një javë, dhe as qasje në edukim, shëndetësi e punë, do të ketë prirje për t’u shkëputur nga varfëria dhe për të kaluar në ndërmarrësi, duke qenë përfituese e ndihmave sociale.
Është pra shumë e kotë të mendosh se varfëria në Kosovë mund të luftohet vetëm me “skema sociale” pa një qasje të re në filozofinë e mirëqenies.
Për shkak të kësaj natyre komplekse të këqijash që lindin nga varfëria, jo rastësisht ajo është edhe fronti i parë dhe qëllimi i parë i Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm të OKB-së. E tillë do duhej parë edhe nga institucionet tona.
Dhe e tërë kjo do të mund të tejkalohej për një periudhë disa vjeçare, me një program të decentralizuar asistence që synon përmbushjen e kushteve elementare për jetë për të gjitha familjet.
Nuk është ndonjë punë e ndërlikuar të ndërtohet një qasje e tillë. Ka formulë edhe për këtë.
Futja e parasë në qarkullim për ndërtim të kushteve elementare për jetë, për shkollim adekuat, për pajisje e trajnim, e cila para, pasi që do të kishte qarkulluar brenda komunitetit, duke rritur fuqinë konsumuese e aktivitetin e punës të gjithsecilit, do t’i kthehej shtetit direkt në formë taksash, e indirekt në formë të lirimit nga skemat sociale afatgjata për një numër familjesh, të cilave iu duhet një shanse e jo një varësi e përhershme, është një prej tyre.
Natyrisht se kur nuk ka trajtim institucional e politik të indeksit të progresit social, atëherë ka politika unilaterale që zhvillohen për dobi të “një të ardhme” që s’përfshinë pjesën dërrmuese të qytetarëve.
Një gjë e tillë, nuk është diçka për të cilën qytetarët votojnë dhe në të cilën besojnë. Madje nuk është diçka për të cilën voton edhe “një i djathtë” që synim ka veçimin dhe vetë përmbushjen.
Dhe pikërisht për shkak se një gjë e tillë ndodhë, qytetarët distancohen nga ballafaqimi me rrethanat shtrënguese, ose duke hequr dorë nga ambicia për zhvillim, ose duke kërkuar viza dhe alternativë zhvillimi jashtë Kosovës.
Prandaj, asgjë nuk ndodhë rastësisht, as pritjet e stërgjata për viza. Ato ndodhin për shkak se nga çfarë na dëftohet, ekzistojnë dy “Kosova Paralele”, ku njëra është Kosova e refleksioneve politike të zhvillimit, ndërsa tjetra është Kosova e sfidave reale të qytetarëve.
Një politikë e mençur në këtë rast, do të ishte ajo që Kosovën e refleksioneve e rikthehen tek Kosova e sfidave reale, sepse të dy këto “Kosova paralele”, duhet ta tërheqin njëra-tjetrën drejt unifikimit në një të vetme, ku progresi social e individual është i hapur dhe i mundur.
E gjitha do të duhej të fillonte me një bazë reale të të dhënave rreth statusit të këtij indeksi në të gjithë territorin e vendit, për t’i paraprirë dizajnimit të një programi kombëtar që sulmon drejtpërdrejtë burimet e varfërisë.
Mbi bazën e të dhënave, do të duhej të ri konceptohej sistemi i mbrojtjes sociale, si dhe ndryshimi i filozofisë së mirëqenies sociale që nxitë daljen nga varfëria e jo akomodimin në të.
Të gjitha vendet dhe demokracitë e konsoliduara liberale në kohëra sfidash, kanë zbatuar qasje të tilla pa u kompleksuar nga ideologjia.
Kostoja e shtetit si shpërndarës dhe taksapaguesve si “donatorë” do të jetë shumë më e lartë për të paguar vazhdimësinë e një skeme sociale të përjetshme, sesa për ta paguar e investuar më shumë përkohësisht për ndryshimin e saj, ndryshim i cili do të çonte në mundësi me përgjegjësi, e jo në përfitim pa dobi e pa kurrfarë përgjegjësie.
Fundja, për ta bërë një gjë të tillë, nuk është e thënë të mendosh se je i “majtë” apo i “djathtë”. Mjafton ta shohësh Kosovën si atdhe të të gjithëve e për të gjithë.
Një qasje tërësisht e re për të përballuar “botën” ku po ecim, është nevojë emergjente dhe e domosdoshme për të balancuar e ri themeluar vlerat për zhvillim ekonomik e progres individual.
Një filozofi e re e mirëqenies sociale dhe çlirimit nga varfëria është parakusht për një Kosovë ku mundësohet progresi, iniciativa dhe zhvillimi. Thjeshtë dikush duhet të mendojë seriozisht për një gjë të tillë.