10 Dhjetor 2024

Kur shkrimtari futet në botën imagjinare të fëmijëve

Shkruar nga Ahmet Pllana

Shkrimtari për fëmijë, Nijazi Kastrati, tanimë e ka dëshmuar veten me njëmbëdhjetë librat e tij të botuar deri më tani me vjersha dhe tregime për fëmijë, si një shkrimtar i talentuar dhe i dashur për lexuesit e moshave të reja.

Vjershat e tij janë të qarta, të lehta, të kapshme, të lezetshme dhe krijojnë kënaqësi tek fëmijët gjatë të lexuarit të tyre.

Ka disa vite që e njohim këtë shkrimtar me krijimet e tij letrare, kryesisht me vjersha dhe me tregime për fëmijë. Ai deri më tani ka botuar këta libra: “Zogu dhe çupa”, 2018, “Beni dhe Oriku”, 2019, “Hana e ylberi”, 2019, “Letër gjyshes”, 2020, “Ketrushi pa dhëmbë”, 2020, “Macja ministreshë”, 2021, “Një kafaz me pullaz”, 2021, “Udhëtimi në rrugën e lirisë”, bashkautor, 2021, “Ëndrra në shtegun e lirisë”, bashkautor, 2022, “Maçoku në kozmos”, tregime për fëmijë, 2022 dhe “Treni kryeneç”, 2022.

Nijazi Kastrati u lind më 26 mars 1956 në Karaçevë të Epërme të Kamenicës. Ka mbaruar Fakultetin e Filologjisë, Dega Letërsi dhe Gjuhë Shqipe në Universitetin e Prishtinës. Nga shtatori i vitit 1990 deri në shtatorin e vitit 1993 ka punuar profesor i gjuhës shqipe në Gjimnazin “Ismail Qemali” në Kamenicë, kurse prej shtatorit 1993 e deri në gusht të vitit 1995 ka punuar profesor i gjuhës shqipe në Shkollën e Mesme Teknike “Andrea Durrsaku” në Kamenicë.

Në gusht të vitit 1995 emërohet drejtor i Shkollës Fillore “Avni Rrustemi” në Karaçevë, detyrë të cilën e kryen deri në shtator 2009. Nga shtatori i vitit 2009 e deri në shtator të vitit 2011 e kryen detyrën e lektorit në Kuvendin Komunal të Kamenicës, ndërsa nga shtatori i vitit 2011 e deri në nëntor të vitit 2012 rikthehet përsëri në gjimnaz profesor i gjuhës shqipe. Në shtator të vitit 2012 emërohet drejtor i Konviktit të nxënësve “Gjon Serreqi” në Kamenicë, detyrë të cilën e kryen deri më 26 mars të vitit 2021 kur u pensionua.

Shkrimtari Nijazi Kastrati është anëtar i Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, anëtar i Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks” në Preshevë, anëtar i Klubit Letrar “Nositi” në Kamenicë, anëtar i Shoqatës Kulturore-Artistike “Jehona Shqiptare” në Tiranë,

Me shkrime ka filluar të merret që nga viti 2010, por për këtë periudhë kohore prej trembëdhjetë vitesh, ka qenë shumë i angazhuar dhe ka sjellur njëmbëdhjetë libra. Shkrimtari ka arritur që të futet në botën e fëmijëve, të futet në imagjinatën e tyre, gjë që ka bërë që shkrimtari të na sjell vjersha të mira për fëmijët. Shkrimtari e ka bërë këtë me urtësi, sepse e ka ditur që po nuk u fute në botën imagjinare të fëmijëve, nuk do të arrihen suksese në krijimtarinë letrare dedikuar fëmijëve. Sido që të jetë, shkrimtari Kastrati, është futur thellë në botën e pafundme imagjinare të fëmijëve, andaj kjo ka bërë që edhe të ketë rezultate në këtë fushë.

Andaj, ky synim ka bërë që ta njohim shkrimtarin në rrugëtimin e tij dhe arritjen e sukseseve. Imagjinata e fëmijëve është më e thellë se imagjinata e shkrimtarit, por kur shkrimtari bashkëjeton me imagjinatën e fëmijëve, ai patjetër e ka gjetur rrugën e duhur, kështu që vjershat dhe tregimet për fëmijë dalin vetvetiu dhe shpërthejnë si një vullkan i ndezur me insistimin e shkrimtarit.

Fatmirësisht, duke i lexuar vjershat e Kastratit, nuk e kemi të vështirë të depërtojmë thellë në imagjinatën e fëmijëve dhe të kuptojmë lehtë e qartë mesazhet që dalin nga vjershat e tij. Për ta njohur më thellësisht krijimtarinë letrare të shkrimtarit Kastrati, duhet filluar nga çasti i zakonshëm i jetës së fëmijëve e të përballemi me lojërat e fëmijëve dhe me mendimet e tyre imagjinare, që më pastaj të shohim se si lexuesit e vegjël i lexojnë dhe i ndjejnë vjershat për fëmijë.

Andaj, përmes veprave të tij letrare, mund të studiojmë jetën dhe artin e tij, si dhe të shtrohen një varg pyetjesh, sikurse, cili është gjykimi për vjershat për fëmijë, cila është ndjesia dhe aroma e vargut, cilat janë nuancat thelbësore dhe vezullimi i shkëlqyer i vargut, cili është guximi i të tjerëve para kësaj bote të madhe krijuese, cila është kthjelltësia poetike, etj.  
 
Në librin “Treni kryeneç” në vjershën me të njejtin titull, shkrimtari shkruan:

“Binarëve të drurit ecë  
 Treni i Benjaminit
 Ndalet para urës
Në shenjë të ndalimit.”      

Autori në këtë libër mjaft simpatik e tërheqës për fëmijët, me vjershat e bukura që ka, shkruan pos për fëmijët, edhe për kafshët dhe shpezët, sikurse për lepurin, ketrushin, macen, qenushin, bletën, por edhe për shkollwn, stinët, natyrën, shkronjat e alfabetit, gjyshen, gjyshin, nipat, mbesat, etj.  
 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)