05 Dhjetor 2024

Gjashte Presidentë Amerikanë e mbi tri dekada përkushtim për Kosovën

Shkruar nga Faton Bislimi

Presidenti George H. W. Bush: “Në rast të një konflikti në Kosovë të shkaktuar nga veprimet serbe, Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të përdorin forcën ushtarake kundër serbëve në Kosovë dhe në Serbi,” thuhej në letrën e Presidentit Bush dërguar Millosheviqit më 25 dhjetor 1992, ndryshe e njohur botërisht si “Kërcënimi i Kërshëndellave.” Ky është momenti kur Serbisë i vendoset vija e kuqe amerikane në Kosovë!

Presidenti Bill CLINTON (Demokrat): “Objektivi ynë në Kosovë është i kjartë: të ndalojmë vrasjet dhe të sigurojmë paqen që iu mundëson kosovarëve vetëqeverisjen,” (deklaratë para mediave, Shtëpia e Bardhë, 22 mars 1999), vetëm dy ditë para se të fillonte ofenziva e NATO-s kundër Serbisë për çlirimin e Kosovës.

Në pronocimin e parë medial pas fillimit të bombardimeve, Presidenti Clinton kishte thënë, ndër të tjera, “besoj se e kemi një shancë të mirë të arrijmë objektivat tona për t’i kthyer Kosovarët në vendin e tyre për të jetuar të sigurtë dhe me një masë vetëqeverisjeje që gëzonin nën kushtetutën e vjetër të Jugosllavisë para se Milosheviqi t’ua hiqte atë…” (konferencë për media, 2 prill 1999).

Presidenti George W. BUSH (Republikan): “Mjaft është mjaft… Kosova do të jetë e pavarur,” kishte deklaruar Bush gjatë visitës së tij historike në Tiranë, duke përcaktuar kjartë si kristali statusin final të Kosovës dhe duke i dhënë përfundimin efektiv të duhur negociatave të Vjenës (Tiranë, 10 qershor 2007).

Kurse, sa ishte në Tanzani, më 19 shkurt 2008, gjerësa po proklamonte njohjen zyrtare të SHBA-ve për pavarësinë e Kosovës, Bush kishte thenë: “në deklaratën e pavarësisë, Kosova përkushtohet për implementimin e standardeve më të larta të demokracisë, përfshirë lirinë dhe tolerancën si dhe drejtësinë për të gjithë qytetarët e të gjitha entive. Këto janë principe që nderojnë dinjitetin njerëzor, janë vlera që Amerika i kërkon në miqët e vet…

Ne i inkurajojmë liderët e Kosovës që së shpejti të aprovojnë provizionet e planit të Ahtisaarit, vecanërisht ato të dizajnuara për të mbrojtur të drejtët e komuniteteve jo-shqiptare të Kosovës…” (konferencë për media, Dar es Salaam, Tanzani, 19 shkurt 2008).

Presidenti Barack OBAMA (Demokrat): “Kosova ka bërë përparim të rëndësishëm në sforcimin e të mirave të pavarësisë si dhe në ndërtimin e institucioneve të një shteti modern, multi-etnik, përfshirës, dhe demokratik. Ka ende punë për t’u bërë tani që liderët Kosovarë marrin mbi supe barren e implementimit të principeve të përfshira në deklaratën e pavarësisë dhe në kushtetutën e Kosovës për secilin qytetar.

Kosova duhet të vazhdojë diskutimet në mënyrë konstruktive me fqinjët dhe të punojë për zgjidhjen e cështjeve të pazgjidhura, veçanërisht të atyre me Serbinë,” kishte deklaruar Presidenti Obama pas përfundimit të mbikqyerjes ndërkombëtare për pavarësinë e Kosovës (10 shtator 2012, deklaratë e presidentit, Shtëpia e Bardhë).

Presidenti Donald TRUMP (Republikan): “Partnershipi në mes dy vendeve tona është i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta. E ardhmja demokratike e një Kosove sovrane e multietnike është në një rajon të Ballkanit që është stabil dhe përparimtar dhe tërësisht i integruar në komunitetin ndërkombëtar,” thuhej në letrën e urimit të Presidentit Trump për përvjetorin e pavarësisë së Kosovës (17 shkurt 2017, Shtëpia e Bardhë), dhe në fund të vitit 2018, me bekimin e Administratës së tij, Kosova do e themelonte ligjërisht ushtrinë e vet.  

“Ne sot jemi dëshmitarë të një arritje historike pas një të kaluara tragjike në mes këtyre dy shteteve… Fokusi është normalizimi ekonomik, që sjellë punësim e të mira ekonomike për të gjithë,” kishte deklaruar Presidenti Trump gjatë takimit në Shtëpinë e Bardhë në mes të Kryeministrit të Kosovës Hoti dhe Presidentit të Serbisë Vuciq, kur ishte nënshkruar Marrëveshja e Washingtonit, si rezultat direkt i së cilës Izraeli njohu pavarësinë e Kosovës (4 shtator 2020, Shtëpia e Bardhë).

Presidenti Joe BIDEN (Demokrat): “Po ashtu, Shtetet e Bashkuara do vazhdojnë të përkrahin përpjekjet për të arritur paqe afatgjatë përmes dialogut produktiv në mes Kosovës dhe Serbisë, dhe për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse të normalizimit që ne besojmë se duhet të jetë e përqëndruar në njohjen reciproke,” thuhej ndër te tjera në letrën e Presidentit Biden për Presidenten e Kosovës (19 prill 2021) pak muaj pasi Biden kishte marrë mandatin e shefit të Shtëpisë së Bardhë.

Kurse, në mesazhin e tij për përvjetorin e pavarësisë së Kosovës, thuhej: “Sic e dini, Kosova zë një vend special në zemrat e familjes Biden…

T’i vazhdojmë përpjekjet tona te përbashkëta në thellimin e bashkëpunimit në mes dy vendeve tona dhe për të arritur një të ardhme për një Kosovë vibrante, sovrane, multi-etnike, demokratike, që do e zë vendin e vet në institucionet Europiane dhe ato Euro-Atlantike…” (17 shkurt 2022, Shtëpia e Bardhë).

Kosova ka qenë e bekuar me miqësinë unike me SHBA-të; gjashtë presidentë, mbi tri dekada!

Ka qenë, është, dhe do jetë gjithëherë interes yni strategjik e kombëtar ta ruajmë këtë aleancë duke qenë të përkushtuar pafundësisht për të mirën e shtetit e kombit tonë.

Ky është obligim për secilin nga ne qoftë edhe atëherë kur mund të kemi dilemen e Abraham Lincoln-it se a duhet 'të ankohemi që trupat e trëndafilave kanë xhemba, apo tê gëzohemi që trupat me xhemba kanë trëndafila!'

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)