Dashuria e sinqertë dhe shpirti i poetit
Shkruar nga Ahmet Pllana
Librat e rinj që botohen, posa dalin nga shtypi janë një gëzim për autorin, por edhe për lexuesit e tjerë.
Gjithashtu, librat e sapo botuar janë të mirëseardhur edhe për bibliotekat, meqë aty hyjnë në botën e librit.
Më saktësisht, hyjnë në sirtarët e bibliotekave, qofshin ato publike apo private, qofshin ato familjare apo individuale.
Libri i botuar është i mirëseardhur për faktin se te lexuesi zgjohet kurreshtja për ta lexuar dhe parë se çfarë shkruan në te, por natyrisht edhe për të lexuar një libër më shumë dhe për të kuptuar mesazhet që jep ai libër, natyrisht për të zgjëruar horizontin e dijes dhe për të marrë dituri, meqë çdo libër dhuron dituri.
Kësaj radhe na gëzon ardhja në dritë e librit nga autori Ali Prebreza nga Fushë Kosova me librin e tij më të ri me poezi me titull “Për ty zemër”.
Libri ka 140 faqe me 120 poezi, ndërsa nuk është i ndarë në cikle. Vet titulli i librit tregon se poezitë e këtij libri janë poezi të dashurisë dhe për dashurinë.
Libri me poezi i autorit Ali Prebreza është një libër që duke e lexuar zgjon kurreshtjen dhe nxitë ndjenjat e pse jo ndonjëherë edhe emocionet nga përjetimet që mund t’i ketë lexuesi gjatë leximit të poezive.
Poezitë e këtij libri, si rëndom te çdo poet, mund të jenë të përjetuara, por edhe imagjinatë e poetit, madje herë herë fund e krye librit.
Poeti në poezitë e këtij libri, dashurinë e përjeton shumë dhe ngul këmbë vetëm në dashuri, që jep të kuptojë se urrejtja është gjë e keqe dhe e shëmtuar dhe sjell vetëm dëme dhe të këqija për njerëzit dhe shoqërinë.
Don Lush Gjergji me të drejtë rreth urrejtjes ka thënë: “Ai që urren është i gjallë në varr!” Poeti në poezitë e tij ka një imagjinatë të zgjuar dhe bisedon me të dashurën e vet dhe i tregon se e don pa fund dhe se jeta nuk ka kuptim pa te.
Në poezinë me titull “Ty”, autori ndër të tjera shkruan edhe këto vargje:
“Të pres ende
Si një pikë shiu
Në mesverën e thatë
Të më njomësh prapë
Rrënjët e dashurisë…”
Poeti fuqishëm e shprehë dashurinë edhe në këto vargje në poezinë me titull “Të lutem kthehu”:
“…të pres
edhe nëse vdes
duke të pritur
do të mbetem
statujë e dashurisë…”
Në poezinë me titull “Të erdha” poeti shprehë shpirtin e tij të bardhë me plot emocion dhe optimizëm për dashurinë që ka. Ja sa bukur e shprehë poeti këtë dashuri në këto vargje të kësaj poezie:
“…të erdha
si një ëndërr e mirë
që bashkë të dy
në kopshtet e parajsës
të mbillemi përjetësisht
si dy lule të bardha
në zemrat e dashnorëve të çmendur.”
Poezitë janë të qarta, lehtë të kuptueshme dhe kuptimplote, por kanë edhe art dhe mesazhe të qarta.
Autori përmes imagjinatës poetike ka arritur që t’i shkruajë poezitë e tij me përkushtim dhe me përmbajtje që kanë plot kuptim dhe që japin të kuptosh se dashuria është diçka sublime dhe e ëmbël që i takon dhe i duhet njeriut në çdo kohë.
Në poezinë me titull “Duke pritur Evën” poeti bukur i ngërthen vargjet me plot ndjenjë, duke ia shprehur dashurinë Evës që e ka ndaj saj, të cilën e pret vazhdimisht.
“…vetëm lotët janë të vërtetë.
dhe eshtrat e mi
duke pritur Evën.”
Autori e ka gjetur frymëzimin tek dashuria, përkatësisht tek e dashura e tij imagjinare për të cilën do të vdiste nëse nuk takohet me te dhe nëse nuk e kalon jetën me te, sepse pa te nuk mund të jetojë.
Poeti Prebreza në krijimtarinë e tij poetike e zë hapin e kohës dhe përpiqet që të krijojë poezi moderne.
Ai edhe ia arrin qëllimit, sepse është kreativ dhe këmbëngulës në qëllimet e tij, në perfeksionimin e rrugës poetike të nisur kaherë.
Autori i këtij libri “Për ty zemër”, pasi deri më tani ka botuar disa libra, vërehet arritshmëria në art, sidomos këtë e arrin me poezitë e dashurisë që kryesisht e përbëjnë këtë libër i cili tanimë doli në dritë.
Poeti përmes poezive të dashurisë synon të jep mesazhe përmes kuptimit të dashurisë njerëzore që e përshkon imagjinata dhe syçeltësia poetike e fokusuar në art, përmbajtje, ritëm dhe muzikalitet.
Ja sa bukur e shpreh poeti dashurinë te poezia me titull “Eja në çerdhën e vjetër”.
“Eja në çerdhën e vjetër
si dallëndyshet në pranverë
mos prit të mugullojnë malet
as të çelen kurorat e luleve…”
Poeti Prebreza shkruan bukur, me stilizim dhe mundohet t’u ikë shablloneve e sidomos përngjasjes së prozës.
Megjithatë, akoma mbetet për t’u dëshiruar ikja nga ky shabllonizim. Sido që të jetë, Prebreza ka imagjinatë dhe dell poetik, meqë e do poezinë e shkruar, me synim që të arrij të dëshiruarën e tij në këtë lloj të artit.
Ai angazhohet në pozitivitet dhe kreativitet për jetësimin e ëndërrave sublime imagjinare dhe sensibilizimin e lexuesve për jetë më të mirë dhe qasje të drejtë mbi jetën, me dashuri në radhë të parë ndaj familjes, fqinjve, miqve dhe të tjerëve.
Pra, poeti përmes dashurisë njerëzore jep mesazhe për ta dashur njëri tjetrin, sepse vetëm kështu arrihen sukseset në jetë.
Autori Ali Prebreza me këtë libër ka dhënë një kontribut të veçantë dhe meritor me të cilin ai ka dëshmuar se dashuria është ajo që të bën ta duash veten, familjen, shoqërinë, vendin tënd.
Autorit i urojmë shëndet dhe suksese në krijimtarinë letrare, nga i cili presim edhe libra të tjerë!