Promovohet libri i Abdullah Zenelit "Koncert në kohë dashurie"
Prishtinë, 16 dhjetor - Në Gjimnazin “Hivzi Sulejmani” në Fushë Kosovë u mbajt promovimi i librit me titull “Koncert në kohë dashurie” i autorit, shkrimtarit dhe poetit, Abdullah Zeneli.
Në këtë promovim të organizuar në nivel të lartë dhe në një ambient të bukur, morën pjesë mysafirë, poetë, personalitete dhe nxënës të Gjimnazit. Me një fjalë përshëndetëse, fillimisht drejtori i Gjimnazit,
Amir Pllana, tha se ky promovim është i rëndësishëm për gjimnazin tonë dhe për nxënësit, ngase në këtë vatër të diturisë është ambient ku më së miri i takon promovimi i librit.
Në këtë rast, ardhja e poetit në mesin tonë është nderë dhe vlerë, andaj edhe e falënderoj, tha ai.
Ismail Syla, rreth librit me poezi “Koncert në kohë dashurie” i autorit Abdullah Zeneli, është libër me vlera që ngrit lart artin dhe vizionin me një qasje serioze dhe të përpiktë, me një krahasim sikur ngritet hekurudha dhe treni ecë me xehe, por vagoni i parë është me libra.
Ky autor ka disa romane shumë të mira dhe vepra të tjera poetike që shpeshherë kanë tematikë vetminë, pra tema themelore është vetmia, heshtja, meditimi, qasja në jetë, etj., tha Syla.
Më pas disa nxënës lexuan poezi të autorit, por edhe bënë pyetje të ndryshme rreth krijimtarisë së autorit, në të cilat me kënaqësi u përgjigj poeti, gjë që u krijua një debat interesant.
Ahmet Pllana