Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë rikthehet në Gjilan
Gjilan, 27 prill – Kryetari i Komunës së Gjilanit, Alban Hyseni, ka pritur sot në takim përfaqësues së Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore të Republikës së Shqipërisë, në krye me drejtorin Sokol Marsi, në prag të koncertit madhështor.
Kryetari Hyseni ka thënë se ndihet i nderuar me prezencën e këtij Ansambli në Gjilan, teksa ka thënë se ky do të jetë vetëm një hap i bashkëpunimi të gjatë.
“Ne jemi të nderuar dhe të shtuar me vlera kulturore e artistike me prezencën e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore në Gjilan. Takimet që i kemi nisur me ambasadorin Minxhozi shpresoj që do të thellohen edhe më tutje, ndërkaq le të themi që ky është një fillim i bashkëpunimi më të gjatë e më përmbajtësor”, ka thënë kryetari Hyseni.
Kurse, në emër të Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit e artistëve të Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, ka folur drejtori Sokol Marsi, i cili e ka falënderuar kreun e Komunës për mikpritjen dhe organizimin e koncertit.
“Jemi të lumtur që sonte rikthehemi në Gjilan, një qytet shumë artdashës. I ftoj të gjithë publikun që të jenë bashkë me ne sonte dhe të festojmë së bashku në sallën e Teatrit, në një koncert festiv”, ka thënë.
Përndryshe, pas 30 vjetësh Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore të Shqipërisë rikthehet sonte në Gjilan, me koncertin festiv i cili nis në ora 20:30.