30 Dhjetor 2024

Qeveria ndan 1.1 milion euro për “Trepçën”

Prishtinë, 13 nëntor - Kryeministri i Republikës së Kosovës, Avdullah Hoti, së bashku me ministrin e Ekonomisë dhe Ambientit, Blerim Kuçi, zëvendësministrin e Financave, Agim Krasniqi si dhe përfaqësuesit e Bordit të Përkohshëm të “Trepçës”, mbajti një konferencë për media, në të cilën bëri të ditur ndarjen e 1.1 milion eurove për ndërmarrjen “Trepça”.     

Hoti ka thënë se Ministri Blerim Kuçi është marrë disa ditë me këtë çështje, me Bordin e "Trepçës", për të tejkaluar situatën, në të cilën jemi.   

"Pas shumë diskutimeve, edhe me Ministrinë e Financave, sot e kemi ftuar edhe Bordin e përkohshëm të "Trepçës" për t'u darkorduar për hapat që duhet të ndërmerren në ditët e ardhshme, për të tejkaluar situatën në "Trepçë".''  

''Situata në kompani është vërtet shumë e vështirë, por është e vështirë, pjesërisht për shkak të gjendjes nëpër të cilën po kalojmë, të pandemisë në nivel global dhe për shkak të pamundësisë që "Trepça" t'i shet produktet e saj në tregje botërore për shkak të rënies së çmimeve në berzë. Por, pjesërisht, duhet pranuar faktin që është edhe për shkak të menaxhmentit joadekuat, joefikas në menaxhimin e kësaj kompanie'', ka theksuar Hoti.  

Këtë kompani vit pas viti Qeveria e subvencionon sa i përket investimeve kapitale në një shumë të konsiderueshme që shkon rreth 7 milionë euro, por pavarësisht kësaj, në këtë situatë, në të cilën gjendet tash "Trepça" qeveria sipas Hoti është dashur të bëjë një zgjidhje të përkohshme bashkë me Bordin e "Trepçës" për të tejkaluar situatën dhe për t'i mundësuar kësaj kompanie operimin më tutje.

Kompania ka borxhe të mëdha, rreth 8 milionë euro dhe fakti se ka kaq shumë borxhe dhe që vazhdojnë për një kohë të gjatë, është fakt i pamohueshëm se menaxhmenti i kësaj kompanie nuk ka arritur të menaxhojë si duhet performancën e saj.

''Ajo që na duhet tash, është një prerje e gjendjes. Ku ekziston kjo kompani tash, sa i përket afarizmit të saj dhe çfarë mbështetje do të ofrojë Qeveria në këtë drejtim.''

Ne jemi dakorduar sot në takim, bashkë me Bordin e Përkohshëm, që të pranojmë shpejt një plan biznesi, se si do të përballohet gjendja, në të cilën është kompania në periudha afatshkurtra për të përmirësuar likuiditetin e kompanisë dhe një plan më afatgjatë që do t’i dorëzohet qeverisë për mënyrën e futjes së investimeve nga jashtë në këtë kompani. Por pavarësisht asaj ajo që na duhet të ndërmarrim tash është hapa të menjëhershëm, pra hapat e menjëhershëm janë këta'', ka deklaruar kryeministri Hoti.

Qeveria do të ndajë 1.1 milion euro për ndërmarrjen Trepça për të tejkaluar situatën nëpër të cilën po kalon.

Bordi sipas tij do të ofrojë garancat e veta përmes planit të biznesit që duhet të dorëzohet shpejt në Ministrinë  e Ekonomisë dhe Ambientit për mënyrën e menaxhimit të kompanisë në të ardhmen dhe  në këtë plan biznesi do të jenë veprimet konkrete që do të ndërmerren nga bordi i kompanisë karshi menaxhmentit  të kompanisë për t’u siguruar që kompania nuk vjen prapë në këtë situatë.

''Besoj që, kjo ndihmë që Qeveria jep me taksat e qytetarëve për minatorët dhe për ndërmarrjen Trepça, do të mundësojë që të tejkalojë dhe të mos vijmë më në situatë të tillë. Dhe, në plot ndërmarrje të tjera kemi probleme pak a shumë të ngjashme, po për shkak të specifikave që ka ndërmarrja Trepça, me insistimin e ministrit e kemi trajtuar pak më ndryshe këtë çështje dhe bashkë me ministrin e Financave besoj që është gjetur zgjidhja më e mirë e mundshme në rrethanat në të cilat jemi.''''

''Por, këto duhet thënë qartë që nuk janë para pa asnjë kushtëzim nga buxheti i shtetit për Trepçën,  por kushtëzohen nga plani i Biznesit të kompanisë dhe nga masat konkrete që duhet t’i marrë Bordi karshi ristrukturimit të plotë që duhet të ndodhë në këtë ndërmarrje menjëherë, jo më vonë, por menjëherë'', ka përfunduar në fund kryeministri Hoti.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)