Kosova dhe Serbia diskutojnë sot në Bruksel për uljen e tensioneve
Bruksel, 19 korrik - Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviç takohen sot në Bruksel për të diskutuar zbatimin e marrëveshjes së 27 shkurtit për normalizimin e marrëdhënieve dhe veprimet për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Takimi i sotëm pason pajtimin e arritur më 10 korrik ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës për shtensionimin e situatës në komunat veriore të banuara me shumicë serbe.
Qeveria e Kosovës tashmë ka ulur për 25 për qind praninë e forcave policore në ndërtesat komunale dhe është pajtuar të mbështesë mbajtjen e zgjedhjeve të reja në veri.
Takimi i sotëm po ashtu mund të shënojë një periudhë të re zhvillimesh për të ulur tensionet që u përshkuan me veprime të dhunshme dhe nxitën shqetësime për ripërtëritje konfliktesh në zonën e trazuar të Kosovës.