Universiteti “Isa Boletini” në Mitrovicë, riakreditohet për periudhën 3 -vjeçare
Prishtinë, 28 mars - Në mbledhjen e Këshillit Shtetëror për Cilësi (KSHC), të mbajtur të martën (28 mars 2023), është miratuar raporti i ekspertëve ndërkombëtarë për riakreditimin e Universitetit “Isa Boletini” në Mitrovicë (UIBM).
Miratimi i vendimit për riakreditimin e UMIB për periudhën 3 - vjeçare (2023 – 2026) është konfirmuar nga Agjencia e Kosovës për Akreditim (AKA).
Lajmi për riakreditim është mirëpritur nga të gjitha strukturat e UIBM. Rektori prof.dr. Alush Musaj, tha se kjo është një ditë e gëzuar meqë është punuar shumë që UIBM të konsolidohet dhe të kalojë nëpër proceset e akreditimeve pa ndonjë problem.
Me këtë rast, ai shprehu respektin për angazhimin e të gjitha strukturave që kanë qenë të përfshira në procesin e riakreditimit institucional.
“Dua të falënderoj dhe uroj secilin që ka qenë pjesë e procesit dhe që është angazhuar që UIBM të dal sa më mirë, duke filluar nga Këshilli Drejtues, Senati, prorektorët, dekanët, stafi akademik, administrata, studentët dhe drejtuesit e kompanive publike dhe private, organizatat vendore dhe ndërkombëtare, që kanë qenë vazhdimisht me ne”, tha rektori Musaj.
Ai gjithashtu ka vlerësuar lartë qasjen korrekte dhe profesionale të drejtorit të Agjencisë së Kosovës për Akreditim, Naim Gashi, si dhe gjithë zyrtarëve të AKA – së. “Ka qenë një proces i organizuar jashtëzakonisht mirë dhe me klimë pozitive”, tha ai.
Në kuadër të UIBM funksionojnë gjashtë fakultete me 20 programe të akredituara në nivelin bachelor dhe master.