Kosova dhe Shqipëria me platformë digjitale të përbashkët për turizmin
Gjirokastër, 9 maj - Një grup ministrash nga Kosova dhe Maqedonia e Veriut vizituan jugun e Shqipërisë këtë fundjavë me qëllim krijimin dhe forcimin e urave të komunikimit dhe zbulimit të mundësive dhe hapësirave të reja në turizëm.
Me ftesë të ministres së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, Mirela Kumbaro, ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ministri i Pushtetit Lokal, Elbert Krasniqi, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit Hajrulla Çeku, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës Liburn Aliu si dhe ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor të Maqedonisë së Veriut Naser Nuredini, vizituan të shtunën Përmetin për të udhëtuar më pas drejt Gjirokastrës.
Në këtë takim u ideua krijimi i një platforme të përbashkët digjitale për promovimin e turizmit Shqipëri-Kosovë, gjë për të cilën dy ministret e turizmit u dakorduan që të ngrenë një projekt të përbashkët, raporton atsh.
Ministrat vazhduan në qytetin e Gjirokastrës, ku pas një ceremonie në bashki, vizituan pazarin e vjetër, Kalanë e Gjirokastrës, shtëpitë muze si një shembull i turizmit të qëndrueshëm.
Vizita e ministrave Hajdari, Aliu, Çeku dhe Krasniqi në qarkun e Gjirokastrës do të ndiqet në fund të muajit maj nga vizita e ministres së Turizmit dhe Mjedisit Mirela Kumbaro në Prishtinë, ku do të ketë takime edhe me turoperatorët në nisje të sezonit turistik.