23 Dhjetor 2024

Uljet e çmimeve të naftës në bursa, nuk reflektojnë në Kosovë

Prishtinë, 20 dhjetor - Uljet e fundit të çmimeve të derivateve të naftës në bursa ndërkombëtare nuk kanë reflektuar shpejt në vendin tonë, për shkak të mungesës së rregullatorit, ka thënë për Radio Kosovën kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani.

Ai e merr shembull Maqedoninë, ku rregullatori atje i ka ulur çmimet. Megjithëkëtë, Berjani thotë se vetëm në shtetin fqinj, çmimet janë më të ulëta se në vendin tonë.

Ulja e çmimeve të derivateve të naftës prej 5% në bursa ndërkombëtare para 10 ditësh, nuk ka pasur reflektim të shpejtë në vendin tonë. Kjo për faktin se vendi ynë nuk ka rregullator dhe çdo biznes është i pavarur në përcaktimin e çmimit, thotë për Radio Kosovën kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani. Sipas tij, do të ishte më mirë sikur të krijohej një rregullator. 

“Kosovës i nevojitet një rregullator siç e ka Maqedonia, dhe qytetarët kanë mundësinë të shërbehen me ulje të çmimeve në mënyrë automatike. Por kjo në një formë është në mëshirën e tregut, është treg i hapur liberal, kompanitë nuk mund t’i detyrosh t’i ulin çmimet, sepse ata janë të furnizuar me çmime më të larta. Rast konkret, bie çmimi në bursa, kompania ka stoqe me çmim më të lartë, si mund të punojë me humbje”, thotë Berjani.

Pas uljes së çmimit në bursa, rregullatori në Maqedoni ka reaguar pas pak ditësh po me ulje, përderisa në Kosovë në shumë pompa të derivateve të naftës, çmimet kanë mbetur të njëjta. Megjithatë, Berjani thotë se tani ka ulje të çmimeve dhe në Kosovë.

“Qytetarët e Kosovës janë duke u furnizuar me çmimet më të lira në rajon, përveç Maqedonisë e cila e ka akcizën më të lirë se sa Kosova. Në Mali të Zi sot e ke një litër dizel 1.30€, benzini 1.35€, në Shqipëri mbi 15-20 euro-centë është çmimi më i lartë se tek ne. Çmimet në Kosovë sot sillen prej 1.16€ deri 1.19€, afërsisht mund të ketë plus minus më lirë por edhe më shtrenjtë. Do të thotë tregu edhe konkurrenca e ka bërë çmimin.”

Berjani kërkon të ketë rregullator, sepse, sipas tij, ka çrregullime në treg.

“Derisa të mos jemi pjesë e BE-së, Kosovës i duhet një rregullator që ky treg të rregullohet një herë e përgjithmonë. S’do të kemi më probleme te rritja apo zbritja e çmimeve, reflekton bursa në mënyrë automatike. Përderisa nuk ka rregullator, nuk mund të garantojmë të reflektojë bursa menjëherë, se është në mëshirën e tregtarëve”, thotë Berjani.

Kreu i naftëtarëve thotë se me Rregullator, çdo dy javë do të përcaktohej çmimi i derivateve të naftës. Qeveria e kaluar kishte kundërshtuar kërkesat për rregullator, përderisa kjo e tanishmja nuk është deklaruar.

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)