Qeveria liron nga tarifa 100 për qind importin e lëndës së parë nga Serbia
Prishtinë, 20 mars - Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbledhjen e 14-të korresponduese, të ftuar nga kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, ka marrë vendim për plotësim-ndryshimin e vendimit nr.01/76 të 21 nëntorit 2018, i ndryshuar me vendimin nr. 06/82 të 28 dhjetorit 2018.
Sipas këtij vendimit lirohen nga masa e përcaktuar me pikën 1 të vendimit të Qeverisë nr. 01/76 të 21 nëntorit 2018, i ndryshuar me vendimin nr.06/82 të 28 dhjetorit 2018, importet e lëndës së parë nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina.
Po ashtu, sipas këtij vendimi, detyrohen Ministria e Financave dhe Transfereve, Dogana e Kosovës dhe institucionet e tjera relevante të zbatojnë këtë vendim, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Deri më 1 prill 2020, Qeveria do të nxjerrë vendim për të shfuqizuar vendimet nr. 01/76 të 21 nëntorit 2018 dhe 06/82 të 28 dhjetorit dhe për të vendosur masa të reciprocitetit të plotë në marrëdhëniet me Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën në të gjitha çështjet.
Po ashtu, në këtë mbledhje Qeveria ka marrë vendim për aprovimin e projektligjit për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Nr.04/L-123 të Procedurës Penale i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr.06/L-091.
Çështjet kryesore që trajtohen në këtë plotësim ndryshim të Kodit të Procedurës Penale, janë çështjet e afateve kohore të hetimit për gjykimet në mungesë për shkak se gjatë zbatimit të kësaj dispozite janë paraqitur pengesa për institucionet e drejtësisë. Projektligji dërgohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës për miratim.