Në rast të ngritjes së çmimeve do të ketë ndëshkime të ashpra
Prishtinë, 12 mars - Kryeinspektori i Ministrisë së Ekonomisë, Punësimit, Tregtisë, Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Investimeve Strategjike, Lulzim Syla, bazuar në urdhëresën e ministres Rozeta Hajdari ka hartuar planin jashtëzakonshëm për gjendjen e krijuar nga virusi Korona.
Prandaj bazuar në këtë plan inspektorët janë në monitorim të tregut edhe jashtë orarit të punës, për t’i mbikëqyrur çmimet nëpër markete, me theks të veçantë produktet ushqimore dhe higjienike, në rast se ka ngritje të çmimeve.
Kryeinspektori Syla tha se pas shumë ankesave nga ana e konsumatorëve për rritje të çmimeve Inspektorati i Tregut ka dal në terren dhe kanë filluar zbatimin e urdhëresës nga ana e ministres Rozeta Hajdari.
“Gjatë ditës së sotme kam komunikuar zyrtarisht me të gjithë drejtorët e inspektorateve komunale që së bashku të bëjmë renditjen dhe të zhvillojmë aksionin e zbatimit të urdhëresës së ministres. Inspektorati do t’i kontrollojë dhe monitoroj të gjitha bizneset të cilët shesin produkte ushqimore dhe higjienike, dhe në rast se konstatohet se ka ngritje të çmimeve do të ketë masa të ashpra ndëshkuese”, ka thënë Syla.
Po ashtu kryeinspektori njofton opinion që inspektorët nga sot do të kenë kontrolle të shtuara me orar të zgjatur për t’i mbajtur nën monitorim të gjithë Operatorët Ekonomik.
“Kërkoj nga ana e bizneseve që të mos ngritin çmimet e produkteve dhe mos ta shfrytëzojnë virusin Korona për përfitime materiale”, tha Syla.