30 Dhjetor 2024

Kosova importon mbi 478 milionë euro, ndërsa eksporton vetëm 77 milion

Prishtinë, 21 tetor - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shtator 2022.

Të dhënat nga Tregtia e Jashtme e Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për 6.5% në muajin shtator 2022, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2021, gjegjësisht në vlerë prej 401.1 milion Euro, krahasuar me deficitin prej 376.5 milion Euro në vitin 2021. Eksporti mbulon importin me 16.1%.

Eksporti i mallrave në muajin shtator 2022 kishte vlerën 77.0 milion Euro, ndërsa importi 478.1 milion Euro, që është një rritje prej 1.9% për eksport dhe 5.8% për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2021.
 
Sipas të dhënave të grupeve kryesore të eksportit: 23.6% të eksporteve e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 16.4% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 15.9% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 8.3% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 8.2% e përbëjnë produktet minerale; 5.6% e përbëjnë produktet bimore, etj.

Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 17.5% e përbëjnë produktet minerale; 12.2% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 12.0% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 11.2% e përbëjnë makineritë dhe pajisjet mekanike e elektrike; 6.6% e përbëjnë mjetet e transportit; 6.5% plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 6.3% e përbëjnë produktet e industrisë kimike, etj.

Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së arritën në 28.9 milion Euro, ose rreth 37.6% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 31.3%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE janë: Gjermania (12.7%), Italia (5.8%), Holanda (3.9%), Sllovenia (3.3), etj.

Importet e Kosovës nga vendet e BE-së ishin rreth 193.6 milion Euro, ose 40.5% e importeve të përgjithshme, me një rritje prej 12.6%. Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (10.1%), Greqia (6.6%), Italia (4.5%), Sllovenia (3.1%), etj.

Në muajin shtator 2022, eksportet e Kosovës me vendet e CEFTA-s arritën në 28.1 milion Euro, ose 36.6% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 12.1%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-s janë: Maqedonia e Veriut (11.9%), Shqipëria (11.5%), Serbia (7.7%) dhe Mali i Zi (4.1%).

Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-s në muajin shtator 2022, arritën në 85.1 milion Euro, ose 17.8% të importeve të përgjithshme, me një rritje prej 0.8%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (7.0%), Maqedonia e Veriut (4.6%), dhe Shqipëria (4.0%).

Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 19.8 milion Euro, ose 25.8%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (10.3%), dhe Zvicra (8.6%).

Ndërsa importet e Kosovës  me vendet e tjera të botës arritën në 199.3 milion Euro, ose 41.7%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (15.9%) dhe Kina (10.1%). 

Kalendari

Ngjarjet e datës 8 gusht 2023

 - Partia Demokratike e Kosovës, mban konferencë për media. (Selia Qendrore e PDK-së, ora 11:00)

 

 - Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, organizon shfaqjen e filmave “I Pabesi” dhe “Heshtja Vret”. (Kino “Armata”, ora 20:00)