22 Mars 2023

Konfiskohet mall i kontrabanduar në Jarinje

Mitrovicë, 3 mars - Policia e Kosovës ka njoftuar se në vazhdën e aktivitetit në luftën për parandalimin e kontrabandës, bazuar në analizën e informatave, me datën 3 mars 2023 rreth orës 06:08, në pikën e kontrollit tek Ura e Bistricës, magjistralja Mitrovicë-Jarinje, kanë ndaluar një autobus, me vozitës mashkull kosovar serb, i cili ishte duke qarkulluar nga drejtimi i Leposaviqit në drejtim të Mitrovicës.

Gjatë kontrollimit është vërejtur se në bagazhet e autobusit ka një sasi të madhe të mallit që dyshohet i kontrabanduar nga Serbia (laptop, monitor, pjesë kompjuterike, telefona, pjesë të telefonave mobilë, pjesë të automjeteve).

Për të gjitha rrethanat e rastit është njoftuar prokurori i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë dhe me autorizim të tij është iniciuar rasti ‘kontrabandim me mall’.

Malli dhe automjeti janë sekuestruar dhe janë dërguar në terminalin doganor në Mitrovicë për procedura të mëtutjeshme ligjore, ndërsa i dyshuari, me urdhër të prokurorit, pas intervistimit, është liruar në procedurë të rregullt.

 

Kalendari

Ngjarjet e datës 22 mars 2023

- Asociacioni i Qendrave për Punë Sociale dhe Departamenti Punë Sociale, Universiteti i Prishtinës “Hasan Prishtina” organizon ditën e dytë të konferencës se dytë Nacionale për shënimin e Ditës Botërore të Punës Sociale. (Fakulteti Filozofik i Universitetit të Prishtinës, ora 9:30)

- Administrata Tatimore e Kosovës në bashkëpunim me Iniciativën Kosovare për Stabilitet organizojnë panel diskutimi me temë “Formalizimi i punësimit”. (Biblioteka Kombëtare, ora 10:00)

- Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës organizon takim publik për hartimin e Koncept Dokumentit të Fushës së Ujërave. (Hotel Garden, ora 10:00)

- Ideatorët e platformës "Liria ka emër", Eliza Hoxha dhe Ismail Tasholli, do të vizitojnë Organizatat e dala nga lufta të UÇK-së. (Zyrat e Organizatave të dala nga lufta të UÇK-së, ora 11:00)

- Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, vizitojnë Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK, ku planifikohet të fillojnë shërbimet për Fertilizim të Asistuar Mjekësor (FAM) në shërbimin publik. (Klinika Gjinekologjike në QKUK, ora 11:00)

- Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, jep mesazhin me rastin e fillimit të muajit të Ramazanit. (Selia e BIK-ut, ora 11:00)

 - Kuvendi i Republikës së Kosovës vazhdon seancën plenare. (Kuvendi i Kosovës, ora 12:00)

- Në shënimin e Javës Ndërkombëtare e Parasë, Shoqata e Bankave të Kosovës zhvillon një vizitë në shkollën "Thimi Mitko" në Gjilan. (Gjilan, ora 13:30)

- Instituti Demokratik i Kosovës në bashkëpunim me Transparency International organizon tryezën e diskutimit “Buxhetimi gjinor në kuadër të partive politike në Kosovë”, një diskutim i përbashkët mes kryetareve të forumeve të grave të partive kryesore në vend, trupave menaxhuese zgjedhore, shoqërisë civile dhe korit diplomatik në vend. (Hotel Sirius, ora 14:00)