Deficiti tregtar i Kosovës regjistron ulje prej 9.2 për qind në muajin shkurt
Prishtinë, 22 mars - Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) publikon të dhënat lidhur me rrjedhat e eksportit dhe importit për muajin shkurt 2023.
Të dhënat nga Tregtia e Jashtme të Mallrave në Kosovë tregojnë për një deficit tregtar më të ulët për (-9.2%) në muajin shkurt 2023, në raport me periudhën e njëjtë të vitit 2022, gjegjësisht në vlerë prej 317.5 milion Euro, krahasuar me deficitin prej 349.5 milion Euro në vitin 2022. Eksporti mbulon importin me 18.7%.
Eksporti i mallrave në muajin shkurt 2023 kishte vlerën 73.1 milion Euro, ndërsa importi 390.6 milion Euro, që është një rritje prej 12.1% për eksport, si dhe një rënie (-5.8%) për import, duke krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit 2022.
Sipas të dhënave të grupeve kryesore për eksport: 20.1% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 16.2% e përbëjnë artikujt e ndryshëm të prodhuar; 14.1% e përbëjnë produktet minerale; 13.1% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre; 8.1% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 4.0% e përbëjnë tekstili dhe artikujt prej tij, etj.
Ndërsa, sipas të dhënave të grupeve kryesore për import: 12.8% e përbëjnë makineritë, pajisjet mekanike dhe elektrike; 12.0% e përbëjnë produktet minerale; 11.8% e përbëjnë ushqimet e përgatitura, pijet dhe duhani; 9.9% e përbëjnë mjetet e transportit; 9.7% e përbëjnë metalet bazë dhe artikujt prej tyre; 7.4% e përbëjnë produkte të industrisë kimike; 6.1% e përbëjnë plastika, goma dhe artikujt prej tyre, etj.
Eksportet e Kosovës në vendet e BE-së (27) arritën në 23.5 milion Euro, ose rreth 32.2% e eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 21.9%. Partnerët kryesorë për eksportin e mallrave në BE ishin: Gjermania (9.3%), Danimarka (5.8%), Italia (4.3%), etj.
Importet e Kosovës nga vendet e BE-së (27) ishin rreth 173.1 milion Euro, ose 44.3% e importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-9.1%). Importet me pjesëmarrje më të lartë ishin nga: Gjermania (13.0%), Italia (6.6%), Greqia (4.8%), etj.
Në muajin shkurt 2023, eksportet e Kosovës me vendet CEFTA-së arritën në 27.2 milion Euro, ose 37.3% të eksporteve të përgjithshme, me një rritje prej 23.5%. Partnerë kryesorë për eksport nga vendet e CEFTA-së ishin: Maqedonia e Veriut (14.7%), Shqipëria (10.5%), Serbia (6.2%), dhe Mali i Zi (4.6%).
Ndërsa, importet nga vendet e CEFTA-së, në muajin shkurt 2023, arritën në 61.7 milion Euro, ose 15.8% të importeve të përgjithshme, me një rënie prej (-9.3%). Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import ishin: Serbia (5.5%), Shqipëria (4.6%), dhe Maqedonia e Veriut (4.5%).
Eksportet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 22.3 milion Euro, ose 30.6%. Si partnerë më të rëndësishëm nga këto vende për eksport vlen të përmenden: SHBA (11.3%) dhe Zvicra (8.0%).
Ndërsa, importet e Kosovës me vendet e tjera të botës arritën në 155.7 milion Euro, ose 39.9%. Vendet me pjesëmarrje më të lartë për import në këtë grup ishin: Turqia (14.7%) dhe Kina (10.4%).